Imrane Thaqi, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e partisë demokratike të Kosovës (PDK), në seancën sotme ka kërkuar themelimin e një komisionin për të verifikuar se si janë pranuar edukatoret në një ndër konkurset e fundit, duke pretenduar se ka pas shkelje ligjore.
Thaqi ka thënë se është hera e tretë që në këtë Kuvend kërkon sqarime lidhur me punësimin e edukatoreve pa diploma universitare. Ajo pretendon se janë pranuar edukatore të pakualifikuara,me diploma të Kolegjeve të cilat nuk janë të akredituara dhe licensuara për mësimdhënie.
Nëse bazohemi në Ligjin për arsimin parauniversitar, Thaqi thotë se këtu kemi punësim joligjor të edukatoreve në Institucionin Parashkollor.
“Lidhur me këtë shkelje ligjore, nga Drejtoria për Arsim kam marr përgjigjen se dy edukatore janë pranuar në marrëdhënie të punës në bazë të një Vërtetimi nga MASHT. Ligji thotë se për të punuar në Institucionin Parashkollor duhet Diploma universitare nga Fakulteti i Edukimit, e jo Vërtetime, derisa në Gjilan, edukatore të kualifikuara ka mjaft. Prandaj, Kërkoj nga Kuvendi që të formohet një Komision i cili do të shqyrtojë këtë rast, që sipas meje është shkelje e rendë e ligjit) dhe të na raportojë në këtë Kuvend”, ka thënë Thaqi në seancën e sotme, transmeton 2LONLINE.
Ajo ka bërë me dije se nga një Komision i tillë presin sugjerimet dhe propozimet për masat që duhet ndërmarrë ndaj atyre që e kanë bërë këtë shkelje të ligjit, që: “sipas të gjitha gjasave është bërë për interesa të ulëta”, shprehet Thaqi.
Kuvendi po i vazhdon tutje punimet e saja me diskutues të tjerë.