Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ai do të jetë mandatari i ardhshëm për formimin e qeverisë, ngaqë përfaqëson partinë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit.
Thaçi ka thënë se pas certifikimit të rezultateve do t’i nisë konsultat me partitë e mundshme partnere për krijimin e qeverisë, duke e përjashtuar kështu mundësinë që qeveria e ardhshme të formohet dhe drejtohet nga opozita.
Me zgjedhjet e 8 qershorit shteti i Kosovës ka fituar shumë. Ka fituar Misioni i Ri, ka fituar qytetari i Kosovës. Me këto zgjedhje të përgjithshme që organizuam dëshmuam edhe njëherë që demokracia është në zhvillim.
“Fitorja e PDK-së e misionit të ri, e koalicionit, ishte një fitore spektakolare, e thellë, bindëse, e pritur dhe unë do të vazhdoj ta respektoj vullnetin e sovranit. Fitorja e Misionit të Ri është vullneti i qytetarëve të Kosovës. Mbi këtë vullnet nuk mund të shkelë askush. Unë do ta menaxhoj gjithë procesin si i mandatuar nga presidentja në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne e kemi një sistem të tillë elektoral, proporcional që lë për të dëshiruar në kuptimin e fitoreve që përcaktojnë që në përfundim të procesit edhe fituesin e qartë në kuptimin e numrave në Parlament”. “Fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës, është misioni i ri dhe natyrisht që unë jam në komunikim me partnerët e mundshëm të koalicionit dhe në momentin që do të përmbyllet certifikimi i rezultatit zgjedhor do të marrë iniciativë për t’u ulur me partitë politike për të biseduar dhe formuar qeverinë.
Fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës dhe se partia ose koalicioni fitues i zgjedhjeve do ta ketë kandidatin për kryeministër dhe kjo parti fituese që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend do ta formojë qeverinë. Në momentin që bëhet certifikimi i rezultatit zgjedhor, unë do të marr veprimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, në përgjithësi në përputhshmëri të plotë më vullnetin e popullit, me besimin qytetar , si parti dhe lider fitues i këtyre zgjedhjeve”, ka thënë kryeministri në detyrë Thaçi.
I pyetur se a mund të ndodh një ngërç politik dhe eventualisht vendi të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme, Thaçi thnotë se nuk ka ndonjë arsye të ketë ngërç apo bllokadë politike. “Ne të gjithë duhet të mendojmë dhe reflektojmë në kuptimin pozitiv, mirëkuptues, tolerant, integrues, që të gjejmë zgjidhjen që hapë rrugë dhe perspektivë vendit tonë. Duhet askënd të mos e lejojmë të prish imazhin e Kosovës pas këtyre zgjedhjeve shumë të mira, shumë mirë të organizuara, të standardit më të lartë perëndimor. Dhe, natyrisht që nuk është në interesin e askujt që të ndodh bllokadë institucionale apo shkuarje në zgjedhje tjera. Por, mbi të gjitha, të gjithë ne duhet ta respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, realitetin politik dhe vullnetin e sovranit”, është shprehur Thaçi.