Kryeministri në largim, Hashim Thaçi priti sot në takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. Biseda u përqendrua kryesisht në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që u mbajtën ditë më parë në Kosovë, të cilat u vlerësuan të rregullta dhe demokratike.
Thaçi falënderoi ambasadoren amerikane për ndihmën e madhe që ka dhënë i gjithë stafi i kësaj ambasade gjatë gjithë këtij procesi. Thaçi gjithashtu theksoi se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror Zgjedhor, do të ndërmerren veprimet e menjëhershme politike në përputhje me ligjet dhe kushtetutën për formimin e institucioneve të reja dhe kredibile në përputhje me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e qershorit.
Thaçi, sot takoi edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar z. Ian Cliff dhe ambasadorin e Gjermanisë z. Peter Blomeyer me të cilët po ashtu bisedoi për përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor dhe formimin e institucioneve të reja kredibile në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.