Nesër më 9 janar fillon viti i shtatë i Qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës në vend. Kryeministri Hashim Thaçi këtë e ka kujtuar në rrjetin social Facebook, duke thënë se këto ishin vite të relaksimit të skenës politike, të shtensionimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe vite të fillimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Hashim Thaçi kujtoi se vitet e qeverisjes së tij ishin të rëndësishme, të rezultateve të prekshme dhe thelbësore, vite të shpalljes së pavarësisë, njohjes së shtetit dhe anëtarësimit në organizmat ndërkombëtarë.
”Në këto vite përmbyllëm me sukses mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, filluam procesin dhe jemi në fazën e negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe presim përmbylljen e negociatave në pranverën e hershme. Po ashtu, brenda këtyre viteve Qeveria e Kosovës ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret teknike dhe presim që gjatë këtij viti Komisioni Europian të merr rekomandimin e merituar për heqjen e vizave edhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar kryeministri Thaçi në Facebook.
Këto vite të qeverisjes, Thaçi i ka quajtur vite të fuqizimit të rendit dhe ligjit, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, vite të reformave të. Më tej, ai ka ndërtimin e rrugës së kombit dhe rrugëve të tjera, duke thënë se Kosova është vendi me infrastrukturë rrugore të ndërtuar në kohë rekorde dhe me aeroportin më modern në rajon.
Ai ka përmendur përmirësimin e furnizimit me energji elektrike, reformat në sistemin e edukimit dhe përmirësimin e infrastrukturës së arsimit në tërë Kosovën, me ndërtimin e mbi 100 shkollave, ndërsa ka theksuar se është ngritur mirëqenia për të gjitha kategoritë sociale, duke arritur standarde rajonale.
Kryeministri Thaçi nuk ka harruar t’i përmend edhe ata me të cilët i bashkon sidomos e kaluara. “Në këto vite u vërtetua pafajësia e shumë bashkëluftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, të cilët u akuzuan padrejtësisht”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.