Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, tha se Raporti i Progresit për Kosovën e konfirmoi arritjen e vendit tonë drejt përmbylljes se negociatave dhe liberalizimin e vizave.
Kryeministri Hashim Thaçi para kabinetit qeveritar tha se ky raport konfirmon progresin me përmbylljen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asociimit, dhe progresin drejt përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave. Thaçi tha se arritja e MSA-së përbën një momentum historik në kuadër të historisë moderne të Kosovës, ndërsa theksoi se sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, tani Kosova ka hyrë në fazën finale të këtij procesi.
“Këto dy procese tanimë janë të konsoliduar dhe formësuar fuqimisht në agjendën evropiane të Republikës së Kosovës. Sot jemi para një fillimi të ri për Republikën e Kosovës, një epokë e re, një epokë e integrimit evropian”, tha Thaçi.
Thaçi shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e mbetura brenda muajve të ardhshëm. Për këtë vlerësim në Raportin e Progresit, Thaçi falënderoi gjithë spektrin politik për konsensusin politik për procesin e integrimit evropian, ndërsa tha se pret nga partitë politike të reflektojnë pas dorëzimit të Raportit të Progresit.
”Shpresoj që publikimi i sotëm i Raportit të Progresit, u ka bërë të qartë të gjitha partive politike, nevojën për themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të vendit”, u shpreh Thaçi.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, teksa ka dorëzuar Raportin e Progresit tek krerët e institucioneve, vlerësoi se ky është një raport pozitiv që vlerëson përmbylljen e suksesshme të procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, progresin e deritanishëm në adresimin e kritereve për liberalizim të vizave, bashkëpunimin me EULEX-in dhe zotimin për krijimin e Gjykatës Speciale, përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe procesin zgjedhor në Kosovë.