Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi është dekoruar me Çmimin “Shigjeta e artë” për Veprimtari Jetësore nga Kongresi i 12 të Vjenës.
Në profilin e tij në “Facebook”, shefi i diplomacisë së Kosovës ka treguar se në këtë kongres kanë marrë pjesë nobelistë, presidentë, diplomatë, dhe profesorë nga mbarë bota.
Ja postimi i plot i Hashim Thaçit:
“Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi mbrëmë u dekorua me Çmimin ‘Shigjeta e artë’ për Veprimtari Jetësore nga Kongresi i 12-të i Vjenës, që tuboi nobelistë, presidentë, diplomatë, profesorë nga mbarë bota. Hashim Thaçi këtë çmim e ndau me dy personalitete eminente të politikës botërore, me nobelistin dhe ish-kryetarin e Republikës Jugafrikane, Frederik Willem de Klerk dhe politikanin dhe euro-deputetin e njohur austriak Othmar Karas, i cili është edhe nënkryetar i grupit parlamentar EPP në Parlamentin Evropian.
Komiteti që ndau këto dekorata u kryesua nga Vaclav Klaus, ish-president i Republikës Çeke, ndërsa fjalë të posaçme patën edhe Mohammed El Baradei, laureat i Nobel për Paqe dhe Viktor Yushchenko, ish-president i Ukrainës.
Fjalën e nderit për zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi e mbajti ambasadori Wolfgang Petrich, i cili ka qenë kryenegociatori i BE-së në konferencën e Rambuillet, i cili për Thaçin ka thënë se është ndër ‘personalitetet që kanë shkruar historinë evropiane’ dhe se progresi i Kosovës drejt të ardhmes evropiane është rezultat i përkushtimit të Hashim Thaçit që njëherë e përgjithmonë të mbyllet kapitulli i urrejtjes dhe dhunës etnike në mes shqiptarëve dhe serbëve”.