Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, pritet të përfaqësojnë Kosovën në takimin e rregullt të Këshillit të Sigurimit, që mbahet më 18 nëntor në New York.
Në këtë takim, fillimisht, siç është bërë tashmë praktikë, do të shqyrtohet raporti tre mujor për zhvillimet në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon dhe më pas do të dëgjohen edhe fjalimet nga shefi i UNMIK-ut, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë dhe do të përmbyllet me fjalimet e ambasadorëve të vendeve anëtare.
Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, është konfirmuar se më 18 nëntor, në këtë takim do të udhëtojë edhe kryeministri Thaçi. Ndonëse nuk ka konfirmim nga Beogradi, rrjedhimisht të dyja vendet pritet që të paraqiten në nivel të barabartë, andaj atë ditë në New York pritet të jetë kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq, shkruan Tribuna.