Kryeministri Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Facebook, ka kujtuar datën e vdekjes së heroti kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Thaçi, Skenderbeut i është referuar si “gjeneral i përmasave evropiane” dhe “themelues i shtetit mesjetar të Arbërit”.
“Pesë shekuj e 46 vjet më parë pushoi së rrahuri zemra e gjeneralit të përmasave evropiane, themeluesit të shtetit mesjetar të Arbërit, Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur atlet dhe kapiten i krishterimit, historia njëzet e pesëvjeçare e rezistencës të të cilit u shndërrua në themel të ndërgjegjes sonë kombëtare”, ka thënë Thaçi për heroin kombëtar, Skenderbeu.
Këtë rast, Kryeministri Thaçi e ndërlidhi edhe me vrasjen e tre atdhetarëve shqiptarë, vetëm 32 vjet më parë.
“Tridhjetë e dy vjet më parë, në tokën gjermane, nga dora e UDB-ës jugosllave u derdh gjaku i tre atdhetarëve shqiptarë: i Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, gjaku i tre heronjve që u bë Flakë e Janarit të Lirisë së Kosovës, frymëzim, vendosmëri dhe vizion i brezave që e bënë realitet çlirimin e Kosovës”, shkroi Thaçi në Facebook, duke e përfunduar me fjalinë: “Lavdi e përjetshme emrit, jetës dhe veprave të tyre”!