Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar Kongresin e Lushnjës. Për të, kongresi i para 94 vjetëve, mbetet ndër zhvillimet më të rëndësishme historike të shqiptarëve.
“Sot, 94 vite më parë mbylli punimet Kongresi i Lushnjës, një ndër zhvillimet më të rëndësishme historike të shqiptarëve në përpjekjet e mundimshme për shtetndërtim. Për mendimin tim ky kongres ka shënuar një ndër arritjet më të mëdha, pasi bëri që të gjithë shqiptarët të bashkoheshin me iniciativën e plotë të tyre dhe pa asnjë aleat të huaj, që të çlironin vendin dhe të hidhnin poshtë kompromisin që arritën Fuqitë e Mëdha në 13-4 janarit 1920 për copëtimin e Shqipërisë”, ka shkruar Thaçi, në profilin e tij në Facebbok.
Në shkrimin e shoqëruar me një fotografi të ngjarjes, i pari i qeverisë së Kosovës kërkon që vendi ynë të mos mbetet pa aleatë dhe të mos ketë armiqësi me fqinjët.
“Kaloi një shekull gati dhe jam i dedikuar që populli ynë kurrë më mos të mbetet pa aleatë dhe kurrë më mos të jemi në armiqësi me fqinjët. Projekti ynë i përbashkët Euro-Atlantik i Kosovë dhe Shqipërisë na garanton këtë”, ka shkruar Thaçi.