Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tashmë përmes statuseve të tij të famshme në Facebook, ka zbuluar edhe një lajm për opinionin kosovarë. Ai ka treguar se si në ditët e fundit të vitit 2013, Qeveria ka marrë vendim për funksionalizimin e Agjencisë për E-qeverisje pasi që kosovarët janë ndër qytetarët më aktivë në Internet në tërë Evropën Juglindore.
“Në ditët e fundit të vitit 2013, Qeveria morri edhe vendimin për funksionalizimin e Agjencisë për E-qeverisje. Kosovarët janë ndër qytetarët më aktivë në Internet në tërë Europën Juglindore. Sipas një studimi të organizatës STIKK, përkrahur nga Ministritë e Jashtme të Norvegjisë dhe Kosovës, mbi 75% të qytetarëve tonë janë tashmë përdorues të Internetit. Kjo njohuri dhe ky entuziazëm ndërmarrës është resurs që duhet shfrytëzuar.
Demografia e re e popullatës dhe diaspora e madhe nënkuptojnë se ka mundësi të mëdha që reforma e administratës publike të zhvillohet së bashku me avancimin teknologjik të mënyrës se si ofrojmë shërbime qytetarëve.
Inkurajoj të gjitha institucionet shtetërore të jenë të vëmendshëm dhe të adoptojnë e-qeverisjen si pjesë esenciale të qeverisjes së mire, të shpejtë dhe transparente.”, ka shkruar Thaçi.