Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se bisedimet me Serbinë është shmangur çdo mundësi e ndarjes së Kosovë dhe krijimit të ndonjë Republike serbe. Ai tha se me zgjedhjet në veriun e banuar me shumicë serbe është hapur rruga e integrimit politik por edhe fizik të asaj zone.
“Organizimi i zgjedhjeve sipas standardit më të lartë ndërkombëtarë në Kosovë, vlerësimi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhjet lokale që sapo përmbyllëm, ishte një fitore e madhe për Kosovën, një fitore e madhe për institucionet, për partitë politike, por mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës. Pastaj edhe pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ka rritur kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, kredibilitetin edhe të brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
Organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar legjitimimin e plotë të marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por na kanë dhënë të drejtë në angazhimet dhe vendimet tona që kemi marrë, sepse ne definitivisht e kemi larguar rrezikun e ndarjes së Kosovës, ndërsa tash kemi një integrim politik, një integrim kushtetues dhe një integrim edhe fizik, në kuptimin territorial por edhe politik të qytetarëve serbë që jetojnë në veri. Pra, tani do të vazhdojmë të punojmë me kryetar të ri që sapo janë zgjedhur. Pres shume shpejt që t’i takoj dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në nivel të qeverisë qendrore dhe në nivel lokal. Edhe sa i përket betimit të kryetarëve të ri që janë zgjedhur, kudo që janë, qoftë në veri, qoftë në jug, do të jetë plotësisht në përputhshmëri sikur betimet e të gjithë kryetarëve të komunave, si në Han të Elezit si në Leposaviq, si në Prizren po ashtu edhe në Zveçan”, theksoi ai.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thekduar se marrëveshjet e arritura si shtet i Kosovës me Serbinë janë të parat në nivel të barabartë si dy shtete.
“Marrëveshjet janë në interesin e Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këto takime kemi hyrë si fitues, si vend i pavarur dhe sovran. Për herë të parë ballafaqohemi me Serbinë në këto nivele. Ndërsa ajo që ne kemi realizuar është se kemi shpëtuar Kosovën nga ndarja, e kemi shpëtuar Kosovën nga krijimi i ndonjë autonomie apo “Republika Srpska” për serbët dhe tash kemi një Kosovë unike, të integruar, një Kosovë sipas standardeve evropiane që po e ndërtojmë. Ndërsa sa i përket të ardhmes evropiane të Serbisë, natyrisht se e ardhmja evropiane e çdo shteti në rajon, kalon përmes implementimit të kritereve që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të fqinjësisë së mirë. Për aq sa Serbia tregohet në fqinjësinë e mirë me Kosovën, po sa më farë do të jetë me BE-në.
Por, kjo vlen edhe e kundërta. Nëse ne e mbyllim me sukses normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, atëherë të dy shtetet tona si vende sovrane do të jenë afër BE-së e në të ardhmen edhe pjesë e NATO-s dhe BE-së. Por, kjo vlen edhe për të gjitha vendet tjera të rajonit. Fqinjësia e mirë është kriter kyç për të ardhmen evropiane”, ka theksuar Thaçi për Zërin e Amerikës.