Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 23 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese (2 korrik 1990) vlerëson se Shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 është ndër ngjarjet më të rëndësishme juridike dhe politike pas shpërbërjes së sistemit njëpartiak në Kosovën e fillim viteve të nëntëdhjeta.
Në mesazhin e kryeministrit thuhet se delegatët e Kuvendit të Kosovës ndërmorën një akt të rëndësishëm, ku shprehej vullneti i popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi politike dhe juridike nga pushtimi jugosllav dhe serb njëkohësisht.
“Deklarata Kushtetuese ishte akt i guximit qytetar dhe patriotik për kohën kur Kosova realisht nuk pranonte degradimin kushtetues, ndrydhjen e lirive dhe të drejtave si dhe mënjanimin e shqiptarëve nga jeta institucionale. Prej kohës së shpalljes së Deklaratës Kushtetues deri në çlirimin përfundimtar Kosova ka kaluar nëpër ngjarje të rëndësishme historike, gjithnjë duke pasur vizion lirinë dhe pavarësinë”.
“Vullneti i qytetarëve të Kosovës më në fund u kurorëzua me lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, dhe sot Kosova është shtet demokratik dhe sovran i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete të botës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim të gjithë delegatëve të gjallë u shpreh falënderim dhe mirënjohje të thellë, ndërsa për ata që kanë ndërruar jetë shprehim konsideratën më të lartë për kontributin e tyre historik”, thuhet në mesazhin e Thaçit.