Ofertë për popullin është ajo përmes së cilës jep detaje se si një subjekt politik ka me zhvillua ekonominë e shtetit, si ka me gjenerua vende të reja pune, në çfarë forme e mendon një shëndetësi tjetërfare, si do ti gjejë metodat për ta vetëdijesuar popullin për ta respektua ligjin dhe detyrimet ndaj shtetit pa i vënë kushte.
Shkruan: Ardian Azemi
Ofertë është pra ajo përmes së cilës mendon me bë organizimin shoqëror dhe arrin ta bindësh votuesin se ti je alternativa për të. Nuk ekziston asnjë mundësi që ta harrojmë dhunën psikologjike të cilën përgjatë dy dekadave gati qeveritë e kanë ushtrua mbi ne.
E kanë rrejt popullin pandërprerë dhe padhembshëm, gjithnjë duke e shfrytëzua gjendjen e tyre ekonomike tejet të rënduar, në të njëjtën duke i bërë tërthorazi dhe me diplomaci thirrje popullit për qetësi e dëgjueshmëri sepse mund ti prishim raportet me ndërkombëtarët dhe mund të dëmtohen proceset nëpër të cilat Kosova po kalon.
Këta që sot kritikojnë, janë pikërisht këta që ia kanë gërditë Kosovën popullit te saj. E kanë sjell popullin deri në atë gjendje saqë të detyrohet përmes kushtëzimeve nga institucionet për ti kryer detyrimet ndaj shtetit.
E detyruan popullin të bëhet arrogant dhe të mos jap për shtetin, ngase me veprimet e tyre dhe sjelljen prej një pushteti të pangopshëm, krijuan bindjen tek populli se taksat e tyre shkojnë në destinacione të dyshimta.
Me fjalë tjera, pse me pagua për hajna?! Janë pikërisht këta që sot kritikojnë për papunësinë ata të cilët e mashtruan popullin me premtime boshe për gjenerimin e dyqind mijë vendeve të punës dhe punësim me meritokraci.
Dështuan, por jo nga pamundësia për të krijuar vende pune, por qëllimshëm sepse vlerësuan se sa me shumë vende pune, aq më pak mundësi për ti manipuluar qytetarët për zgjedhjet e ardhshme, sepse një popull me gjendje të qëndrueshme ekonomike, është gati e pamundur të manipulohet politikisht.
Tetëmbëdhjetë vjet qeverisje, po kaq nënshtrim ndaj Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Tetëmbëdhjetë vjet qeverisje, po kaq kohë përpjekje për ta detyrua historinë të flet negativisht për ta, të vetëdijshëm për këtë, porse në peshime, interesi individual dhe grupor peshonte me shumë sesa interesi i përgjithshëm dhe shteti.
E vetmja ngjarje gjatë këtyre viteve qeverisje që e bëri popullin të ndihet qytetarë i barabartë me ata të rajonit e botës, ishte 17 shkurti i 2008-së, Shpallja e Pavarësisë.
Nuk arritën ta anëtarësojnë Kosovën në asnjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, sikurse nuk arritën të ndërtojnë partneritet serioz as me shtetet më mike të Kosovës siç janë ShBA-t e Gjermania. Dëshmi për këtë është nisma e ish-qeverisë për transformimin e FSK-së në Ushtri e cila nuk gjeti përkrahje as nga NATO, as nga ShBA, e as nga shtetet e fuqishme evropiane.
Akuzojnë qeverinë aktuale për nivelin e lartë të papunësisë, për politikën e jashtme, rregullimin e brendshëm shtetëror, për buxhetin, për shëndetësinë, arsimin e kulturën, për sistemin e drejtësisë, për vizat, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare etj.
Imagjinoni, tetëmbëdhjetë vjet nga lufta, dhe gati dhjetë vjet si shtet, nuk e kanë lëvizë asnjë proces përpara, ndërsa akuzojnë pse kjo qeveri nuk po e bënë. Idiotësi!
Aq shumë vjet investim veç për ta shkatërrua shtetin, me pritë rezultate të mëdha për një vit e gjysmë gati, sinqerisht është për të ardhur keq me u trishtua me sjelljen dhe qëllimet e politikanëve tanë.
Kur ke një politikë kësisoj, edhe janë të pritshme këto sjellje dhe qëndrime, sepse refuzojnë kategorikisht të shohin rezultate pozitive të shtetit, sepse ashtu i minohet e ardhmja politike e ndërtuar mbi gënjeshtra dhe manipulime.
Thjeshtë, i pengon rezultati dhe suksesi i tjetrit, pavarësisht që përfitojmë të gjithë. Për një gjë jam i sigurt, Kosova ka me u bë shtet tamam, po rikthehet besimi i popullit në institucione dhe qartë po duket se do të jetë vështirë të manipulohet me besimin qytetarë.
Është krijuar një bindje ndryshe e ndërkombëtarëve kundrejt institucioneve të Kosovës. Vendosshmëria për ta mbrojtë shtetin dhe me e ngritë vetëdijen qytetare në raport me shtetin, ka bërë që të kemi ushtri, të kemi një politikë ndryshe ndaj Serbisë por edhe ndaj BE-së. Kosova sot ka një shëndetësi ndryshe, që trajton qytetarët e jo “shallter” transferi i pacientëve.
Kosova ka nevojë për unitet, dhe kjo bëhet vetëm duke i tejkalua inatet personale dhe duke parë përtej interesave të ngushta qofshin ato individuale apo partiake.
Politika i detyrohet shumë popullit, dhe jo anasjelltas. Populli është sovrani dhe mbi gjithçka, përderisa politika dhe pozitat shtetërore janë thjeshtë pozita argatllëku, prandaj shihni kështu e mos e merrni politikën si mjet për tu pasuruar.