(2L ONLINE) – Në Komunën e Gjilanit sot është mbajtur testi i arrijtshmërisë për nxënësit e klasave të nënta. Sot këtij testimi i janë nënshtruar mbi 1800 nxënës në shtatë qendra nëpër ambientet e shkollave të qytetit.
Me këtë rast kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, së bashku me drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, kryesuesin e Komitetit për Arsim, Arben Mehmeti dhe bashkëpunëtorë të tjerë të institucioneve lokale, kanë vizituar disa qendra ku mbahej testimi për të parë nga afër procesin e testimit të nxënësve të klasave të IX.
Me këtë rast, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, në emër të kryetarit Haziri, ka uruar nxënësit dhe arsimtarët për këtë ditë, që është me shumë rëndësi, jo vetëm për nxënësit dhe shkollën, por ka një rëndësi dhe domethënie edhe për drejtorinë dhe Komunën në përgjithësi.
“Nxënësit gjilanas përherë janë dëshmuar për rezultate, duke befasuar shpeshherë në aspektin pozitiv me rezultate ndër më të mirat. Urojmë që edhe këtë vit të jetë rezultati edhe më i mirë se vitet paraprake”, tha Bunjaku-Rexhepi.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, ka thënë se risi e këtij viti është se testi i arritshmërisë këtë vit po mbahet para se të përfundoj viti mësimor me 4 qershor 2014.
Ai ka thënë se drejtoria që ai drejton ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit konform rregullave në shtatë qendra në shkollat e qytetit dhe testit iu kanë nënshtruar nxënësit e 24 shkollave të Komunës së Gjilanit.
Gjithashtu, Musa ka thënë se sot është në vizitë nëpër këto qendra për t’u dhënë mbështetje nxënësve në këto momente kur po bëhet kurorëzimi i një periudhe katër vjeçare të shkollimit.
Po ashtu, ka bërë të ditur se rezultatet e këtij testi do të bëhen publike më 9 qershor, ndërsa ankesat e nxënësve mund të bëhen nga data 9 – 12 qershor 2014, ndërsa rezultati i ankesave publikohet me datën 12 qershor. /2L ONLINE/