(2L ONLINE) – Kundërpërgjigjja e fundit e Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së në KK të Gjilanit, përmes Riad Rashtit, ndaj deklarimeve të Shaban Tërstenës, drejtorit të shkollës së mesme të Mjekësisë, në polemikat që kanë vazhduar në disa shkrime, e ka prodhuar sërish reagimin e këtij të fundit, në polemikat që janë hapur për sferën e arsimit, e për të cilën është deklaruar disa herë deri më tani, herë njëra, e herë pala tjetër.
Shih reagimi ne fundit të PDK-së
Vazhdojnë polemikat mes PDK-së e drejtorit të shkollës së mjekësisë
Ja tani edhe reagimi i sërishëm i Trëstenës:
“Tani pas shkrimit të z. Rashiti me titull –“Vazhdojnë polemikat mes PDK-së e drejtorit të shkollës së mjekësisë” , po e kuptoj, se përse në qeverinë Thaçi nuk u ndëshkuan kurrë kriminelët. Sepse, asnjë nga viktimat, nuk posedonin dokument të nënshkruar dhe vulosur nga vrasësi, se unë e kam vrarë këtë person. Ndërsa, sipas “ekspertëve juridik” të PDK-së vetëm dokumenti me vulë dhe nënshkrim mund të paraqet fakt.
Ju të nderuar qytetarë, që e keni lexuar shkrimin tim – “Unë ndoshta kam sklerozë, por letrat nuk kanë”, i keni parë argumentet e mia të qarta, se si ka gënjyer e mashtruar z. Rashiti. Tani po i argumentoj edhe gënjeshtrat e tij të radhës:
1- Ai, përsëri, mundohet t’u gënjejë ju, se në regjistrimin e nxënësve në klasën X/9 në vitin shkollorë 2009/10, (kur unë nuk isha drejtor),kinse qenka regjistruar vetëm një nxënës, edhe ai me fletëkalim nga Prishtina. Ndërsa realiteti qëndron se aty janë regjistruar 14 nxënës mbi numrin 32 (sa duhet të ketë një klasë normale). Dhe, kur këtë numër e shumëzoni me numrin e paraleleve të regjistruara atë vit, e që është 10 paralele, del se janë pranuar hiq më pak se 14 X 10 = 140 nxënës më tepër, e jo vetëm një, siç tenton t’u mashtrojë.
2- Ai gënjen përsëri se këtë vit shkollor janë regjistruar në klasën e dhjetë 350 nxënës, në shkollën e mjekësisë, duke e ditur se mbi 900 nxënës dhe mësimdhënës të kësaj shkolle, e dinë se në klasët e dhjeta janë regjistruar vetëm 272 nxënës. Dhe ky numër, në asnjë rast, nuk e tejkalon numrin e nxënësve, sipas Udhëzimit Administrativ nr. 22/2013, neni 4 pika 2 i cili thotë: “Numri i nxënësve për paralele për shkollat e mesme profesionale për mësim teorik është 32 nxënës për klasë / paralele, ndërsa maksimum për një paralele mund të ketë 35 nxënës”.
3- Prapë insiston t’u gënjejë se mua në vitin 2007 më zgjodhi drejtor LDD e cila e kishte pushtetin në Gjilan, por harron se zgjedhjen e drejtorit në vitin 2007 e bënte MASHT e jo Komuna .
Këto gënjeshtra bashkë me ato të argumentuara në shkrimin tim të mëparshëm, tregojnë qartë se fjala është për një gënjeshtar ordiner, i cili nuk dëshiron ta njeh realitetin dhe vazhdon të jetojë në gënjeshtra. Nisur nga kjo, unë nuk mund që kohën time aq të çmuar, ta shpenzoj në demantimet e gënjeshtrave të tij, sepse kam punë shumë më me vlerë për të bërë se sa të merrem me bjerrakohës dhe kotësia.
Atyre që duan t’u besojnë edhe më tej gënjeshtrave të tij, u kujtoj një thënie të vjetër:
“Nëse dikush të gënjen një herë, fajtor është ai. Nëse të gënjen për të dytën herë, fajtor është edhe ai edhe ti. Nëse të gënjen për të tretën herë e më tepër, atëherë fajtor je vetëm ti”.
Nuk kam kohë e as do merrem tutje me përrallat e tipave të Nastradin Hoxhës” /2L ONLINE/