Në bazë të dëshmive të ofruara, Prokuroria Themelore në Mitrovicë mori aktvendim për pushimin e hetimeve kundër Aleksandër Vulin, ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë. Kështu thuhet në njoftim për media nga Zyra e Prokurorit të Shtetit.
Aty thuhet se mbi bazën e dëshmive nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare, Veriu, vërtetohet se Vulin, më datë 16.10.2013, nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës ka hyrë përmes vijës hekurudhore Kralevë-Zveçan-Mitrovicë e Veriut, e cila është pikë e autorizuar për kalim kufitar.
Në bazë të këtyre dëshmive, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka urdhëruar tërheqjen e urdhër-arrestit lëshuar ndaj të pandehurit Vulin, si dhe ka pushuar hetimet, pasi që janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë.