Skuadra gjilanase e futbollit, FC Drita ka pësuar sot humbje nga KF Llapi me rezultat 4 : 1. Ndonëse në futboll është krejt normale të humbësh madje edhe nga ekipet që për momentin mund të jenë më pak superiore, një humbje e tillë si kjo ndaj një skuadre që në fillim të shtatorit, Drita e kishte deklasuar, 4 :0, nuk mund të “kapërdihet” lehtë.
Çfarë po ndodh me skuadrën që po drejtohet nga Ardian Nuhiu, e cila diti që plotë 11 xhiro nga 14-të, sa janë luajtur deri më sot, të mos pësojë humbje, mbetet të japin ndoshta përgjigjen e duhur, ndeshjet në vijim, e sidomos ajo e radhës në kuadër të xhiros së 15-të, kundër Ballkanit. Përndryshe, ajo nismë e mbarë përgjatë 11 xhirove (tetë fitore e tri barazime), u trazua në këto tri xhirot e fundit (një fitore e vështirë dhe dy humbje), transmeton Portali 2LONLINE.com.
Pra, ajo që mund të thuhet, tani për tani, është se seria e mirë e Dritës deri në xhiron e 11-të, “zuri në thu” në xhiro ne 12-të , kur humbja nga Prishtina, në një ndeshje dramatike ku deri në minutën e 87-të, skuadra e “intelektualëve’, e kishte fitoren, por më pas u përmbys gjithçka dhe loja u humb në minutat shtesë, duket se ka ndikuar për të keq dhe që nuk u kapërcye lehtë, ani se, pas këtij takimi erdhi fitorja ndaj Ferizajt, por se edhe ajo erdhi me “qykë të zorit’, ndaj një skuadre që përmbyll tabelën e klasifikimit.
Një skuadër si Drita, për të cilën nuk duhet shtruar pyetja se a do të dali në Evropë, por se, a do ta bëjë këtë si kampione dhe se, sa fortë do të luajë dhe sa larg mund të shkojë, duhet të tregojë konstantë performancë të lartë në Superligë.
Sidoqoftë, humbjet ndaj Prishtinë dhe Llapit, mund të jenë edhe një terapi e mirë për “kthjellje”, dhe marrje të veprimeve të duhura që në vazhdim të kampionatit të mos bëhen performanca të tilla, por të kemi një Dritë të përsosur që mund të bëjë, fillimisht veten, e pastaj edhe mbështetësit e saj, futbolldashësit në përgjithësi, por edhe vendin tonë, krenarë, me paraqitjet e saj në futbollin evropian.
Andaj, skuadra bardhekaltër, mësimet që do t’i marr nga këto pësime, duhet t’i përdorë për dobi në ballafaqimet e tjera, për t’u parë reflektimi pozitiv, e a do të ndodhë një gjë e tillë, mbetet të shihet në një ndeshje shumë të rëndësishme, që e sjellë menjëherë java tjetër, ajo e 15-ta, ku Drita ballafaqohet me Ballkanin, rival i drejtpërdrejt për liderizëm në tabelën e klasifikimit të Superligës. /2LONLINE/