Kishte dëgjuar se ‘Guri i shpuar’ atë do ta bënte me fëmijë. Edhe pse ajo ishte përbiruar në gurin që besohej se u ndihmonte njerëzve, Ramize Delinuzi nuk i kishte shpëtuar katër aborteve. Ajo kishte dështuar në katër shtatzëni edhe pse mendonte se guri i shpuar, mund të jetë ilaçi i saj. Gruaja nga Hodonoci i Kamenicës, ishte martuar kur i kishte pasur vetëm 16 vjet e gjysmë.
Pas disa viteve dëgjoi gojëdhënat dhe fjalët e më të vjetërve se guri do të mund t’i ndihmonte. Ramizja mblodhi shoqet e saja dhe u nis për te guri, duke besuar se do të ja shoh hairin atij guri. “Shkuam nja pesë apo gjashtë veta, u përbiruam. Ishim të reja dhe kishim dëgjuar se ai gurë i ndihmonte njerëzit që kishin nevojë. Gjithmonë shkonim para muajit maj, d.m.th para Shëngjergjit. Mirëpo sa e di unë askujt si ka ndihmuar. Nuk ka pasur hair as te unë”, thotë 85 vjeçarja Ramizja.
Ajo tani nuk din gjë më për gurin që dikur ishte përbiruar. “Nuk e di se çfarë ka ndodhë me të. Nuk jam në dijeni nëse ai është aty. Ne atëherë e kemi provuar, nuk na ka ndihmuar, e tash më s’di asgjë rreth gurit”, ka rrëfyer Ramizja për gazetën Tribuna. /Tribuna/