“Lidhur me atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin. Shpejt do të kem një raport të detajizuar”, ka shkruar kryeministri Avdullah Hoti në profilin e tij zyrtar në facebook.
Ja postimi i plotë i kryeminsitrit Hoti:
Lidhur me atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin.
Shpejt do të kem një raport të detajizuar.
Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve.
Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend.
***
Përndryshe, kreu i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati ka thënë se është tejet shqetësuese që përsëri disa paramilitarë apo militarë të armatosur serb, hyn në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë. Siç shihet në edhe në video, ata kanë ardhur në një zonë të frekuentuar nga banorët e të gjitha moshave.
“Provokimi i vazhdueshëm dhe terrorizimi i qytetarëve të kësaj ane, është i papranueshëm. Ky është kërcënim direkt për banorët e Karaçevës dhe për gjithë shtetin tonë. Lidhur me këtë çështje u kam nisur shkresë zyrtare Presidentit të Kosovës, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes e atij të Punëve të Brendshme, që konform kompetencave të tyre të veprojnë në këtë drejtim”, ka thënë Kastrati.
***
Edhe ish kryetari i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli ka thënë se më 07.08.2020, rreth ores 18,05 një kolonë e ushtrisë së Serbisë të shoqëruar me disa qenë përsëri erdhën nga mali e anës së Serbisë kaluan nëpër rrugën e lagjës tonë të Bernjashëve dhe ranë teposhtë ende më fell të territorit të Republikës së Kosovës.
“Ky veprim i hyrjes së ushtrisë serbe ne këtë pjesë të territorit të Kosovës me keqardhje po vazhdon edhe pas 20 viteve të çlirimit jo të plotë të Kosovës. Apelojmë te KFOR-i si dhe institucionet e Kosovës të marrin masa adekuate që mos të përsëriten këto veprime të ushtrisë serbe, sepse ka ndikuar dhe po ndikon përveç në shqetësimin po ashtu edhe në shpërnguljen e qytetarëve të zonës kufitare të Karaçevës”, ka thënë Surdulli. /2LONLINE.com/