Ky Plan po ashtu parasheh dhe kërkon nga Komuna e Gjilanit që Teatri duhet gjithsesi të bëhet si njësi e veçantë buxhetore… Ne kemi marr premtime nga organet komunale dhe vet kryetari i Komunës që do ta përkrahin teatrin dhe miratimi i këtij plani të biznesit do të ishte ndihma themelore për institucionin tonë. Kështu është shprehur, ndër tjerash, në një intervistë për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, drejtori artistik i Teatrit Profesionist të Gjilanit, Shkëlzen BERISHA.
2lonline: Ju keni ardhur në postin e drejtorit artistik tani së fundi, megjithatë si e vlerësoni aktualisht funksionimin e gjithëmbarshëm të Teatrit në këto tetë muaj të këtij viti ?
Berisha: Unë do të preferoja të flas për kohën pasi që zyrtarisht kam ardhur në këtë pozitë që do të thotë nga 5 maji i këtij viti. Duke pasur parasysh kushtet e varfra që gjendet teatri që ndikojnë në një funksionim të dëshiruar profesional, megjithatë konsiderojmë se nga muaji maj kemi qenë mjaft veprues. Menjëherë pas ardhjes në këtë pozitë kemi filluar me punimin e një shfaqje për fëmijë dhe një kohë prej tri javësh kemi dal me premierë, ku bazuar në opinionet e publikut ishte shfaqje mjaft e suksesshme dhe njëkohësisht shumë e nevojshme për fëmijët. Po ashtu me 5 korrik kemi pasur edhe një tjetër premierë, shfaqje kjo për të rritur “Sfinga e Gjallë” e Rexhep Qosjes, e cila ka filluar para ardhjes në detyrë. Me një rregullore të re për shfrytëzimin e sallës së Teatrit dhe me disa intervenime që kemi bërë brenda ndërtesës mendojmë që bazuar në rrethana, funksionimi ka qenë i frytshëm, por që nuk do të thotë se ne jemi të vetëkënaqur me këto të arritura.
2lonline: Sa ka arritur teatri ta përmbush agjendën përgjatë këtyre tetë muajve në të gjitha aspektet ?
Berisha: Deri në maj, Teatri duket të ketë qenë pak a shumë në një lloj vakuumi funksionues pasi që është përballur me organizimin dhe përzgjedhjen e menaxhmentit të ri. Kjo është e kuptueshme, dhe nënkupton që nga maji me përzgjedhjen tonë si menaxhment i ri kemi trashëguar mjaft çështje dhe kemi përpiluar një agjendë mjaft të ngjeshur rreth asaj se çfarë duhet bërë. Ne kemi përmbush mjaft qëllime që i kemi caktuar vetes dhe kemi shumë të tjera që i kem në proces dhe të tjera që presim t’i përmbushim. Më duhet të them që një prej qëllimeve kryesore do të jetë krijimi i një infrastrukture ligjore, që do të jetë themel për statusin e Teatrit, stafit të tij, mënyrën funksionuese dhe veprimtarinë artistike zhvillimore të Teatrit të Gjilanit. Kjo infrastrukturë përfshin përpilimin e Statutit të Teatrit të Gjilanit i cili është aprovuar nga Këshilli Drejtues dhe pritet të miratohet nga Kuvendi Komunal, Sistematizimit apo Përshkrimit të Detyrave, Rregulloreve të brendshme të Teatrit dhe më e urgjentja Plani i Biznesit i detajizuar për vitin 2011 që i u është paraqitur Komunës së Gjilanit dhe që kërkon që Teatri të pavarësohet si njësi e veçantë buxhetore, me një buxhet vjetor të qëndrueshëm që përcaktohet në fillim të vitit. Nëse ky plan propozim miratohet nga Komuna do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë pozitën ligjore, funksionimin e duhur dhe mënyrën e financimit të Teatrit të Gjilanit. Ne kërkojmë dhe shpresojmë që Komiteti për politikë dhe financa do ta kalon këtë Plan Biznesi dhe 2011-ta ta pret Teatrin me një Buxhet të veçantë dhe të qëndrueshëm.
2lonline: Si e vlerësoni sezonen e deritanishme sa i përket prezantimit me shfaqje dhe cilësisë së tyre?
Berisha: Sezoni i këtij viti deri më tani ka pasur 4 premiera që do të thotë se është përmbushur mjaft mirë dhe mbetet sezoni vjeshtor për ta kompletuar vitin repertoresk të teatrit. I kemi edhe dy premiera tjera deri në fund të vitit të përzgjedhura dhe të planifikuara, por gjendja mbizotëruese financiare mjegullon realizimin e këtyre projekteve. Sa i përket cilësisë së deritanishme të shfaqjeve bazuar në mirëpritjen e publikut mendojmë që kanë qenë në nivel.
2lonline: Në çfarë shkalle konsideroni interesimin e artdashësve gjilanas për t’i ndjekur shfaqjet e Teatrit Profesionist të Gjilanit?
Berisha: Gjilani ka qenë shembull shumë i mirë për frekuentimin e veprimtarisë teatrore ndër vite. Ka kohë tani më, që ky frekuentim pak sa është zbehur dhe numri i publikut në Teatrin e Gjilanit nuk është i kënaqshëm dhe kjo për mua është brengosëse. Unë besoj se ndikojnë shumë faktorë social dhe ekonomik për një rënie të tillë të shikueshmërisë. Megjithatë ne do te jemi shumë rigoroz rreth vlerësimit të punës sonë dhe të parandalojmë çdo gjë që ndikon në ulje të shikueshmërisë. Po qe se vlerësohet që cilësia artistike është një indikator për këtë çështje ne do të jemi shumë këmbëngulës në identifikimin e këtyre elementeve dhe shumë të determinuar t’i ndryshojmë ato. Teatri ekziston për publikun dhe synimi ynë kryesor duhet të jetë rikthimi i tyre në sallën e Teatrit.
2lonline: Si janë përzgjedhur deri më tani shfaqjet që janë vënë në skenë?
Berisha: Unë deri më tani kam përzgjedhur vetëm një shfaqje dhe atë për fëmijë “Lulja dhe Shega” e Vedat Kokonës dhe do të flas vetëm për këtë. Për bazë kam marr synimet e mija për të kultivuar një gjeneratë të re të publikut për të ardhmen e shikueshmërisë së këtij Teatri. Po ashtu ka qenë përmbajtja mjaft domethënëse e tekstit, mënyra poetike e të shkruarit si dhe ana shumë edukative që përmban kjo vepër shumë e rëndësishme e letërsisë për fëmijë. Hapësira për konsumim të artit tek fëmijët nuk është e madhe në qytetin tonë dhe ne fuqimisht do të mundohemi të krijojmë këtë hapësirë për ta.
2lonline: Për çka ka nevojë Teatri që të jetë i suksesshëm?
Berisha: Kolektivitet, përkushtueshmëri, kontinuitet cilësor, dhe rezonim në aktualitet. Të gjitha këto është e vërtet që varen nga njerëzit që punojnë në teatër dhe nga një menaxhim vetëmohues, por po qe se Teatri nuk ka një komoditet solid financiar dhe përkrahje nga organet komunale dhe shtetërore niveli i këtyre kualiteteve nuk mund të ketë zhvillimin e duhur. Në këtë çështje kemi bërë shumë duke hartuar kështu Planin e Biznesit për vitin 2011, e aprovuar po ashtu edhe nga Këshilli Drejtues i Teatrit, ku në mënyrë shumë të saktë paraqitet se si do të duhej të dukej teatri në vitin që do të vijë. Ky plan biznesi paraqet Sistemet e Zhvillimit, Mënyrat Funksionuese, Planifikimet dhe Politikat e teatrit dhe në një mënyrë shumë të qartë janë të paraqitura Planifikimet Financiare dhe Buxheti i domosdoshëm që duhet të ndahet nga Komuna për një funksionim normal të teatrit. Ky Plan po ashtu parasheh dhe kërkon nga Komuna e Gjilanit që Teatri duhet gjithsesi të bëhet si njësi e veçantë buxhetore, ku ka buxhetin vjetor të veçantë në fillim të vitit, në mënyrë që të rregullohet funksionimi i përgjithshëm dhe efikas i veprimtarisë së Teatrit. Ne kemi marr premtime nga organet komunale dhe vet kryetari i Komunës që do ta përkrahin teatrin dhe miratimi i këtij plani të biznesit do të ishte ndihma themelore për institucionin tonë.
2lonline: Ka opinione nga një pjesë e aktorëve dhe regjisorëve tanë se teatri nuk po e jep maksimumin. Si e komentoni këtë ?
Berisha: Në javën e kaluar kemi mbajtur një mbledhje me stafin punues të teatrit dhe kemi paraqitur të arriturat dhe planet për të ardhmen e këtij institucioni dhe përveç ndoshta ndonjë plotësimi të vogël rreth ndonjë çështje e gjithë mbledhja ka kaluar në një frymë mjaft të mirë e konstruktive dhe stafi punues ka qenë mjaft i kënaqur rreth asaj se çka është bërë deri më tani me menaxhmentin dhe njëzëri është pajtuar me të gjitha synimet për të ardhmen.
2lonline: Cili ka qenë këtë vit bashkëpunimi me teatrot tjera, me regjisorë e aktorë të tjerë dhe si e shikoni këtë çështje nga këndvështrimi juaj ?
Berisha: Shkaku i mjeteve të pamjaftueshme ne nuk kemi mundur që nga maji të prezantojmë në një qytet tjetër të mirat artistike të teatrit tonë, duke përfshirë këtu pamundësinë financiare për të shkuar në Festivalin e Ulqinit edhe pse kemi qenë të ftuar. Megjithatë sa i përket prurjes së shfaqjeve mysafire kemi bërë më shumë duke sjell kështu disa shfaqje që kryesisht kanë qenë të Teatrit Dodona. Në Planin e Biznesit kemi planifikuar se si do ta maksimalizojmë këtë bashkëpunim dhe mënyrat për ta bërë këtë janë më se të qarta, mirëpo përsëri peng për realizimin e kësaj do të jenë financat që nevojiten për Teatrin në 2011.
2lonline: Çfarë mund të presim nga vazhdimi i sezonës pas pushimeve që ishin. Cili do të jetë repertori me të cilën do të përmbyllni këtë vit ?
Berisha: Kam paraparë që të punojmë edhe dy shfaqje deri në fund të vitit, një botërore dhe një kombëtare. Projektet i kemi dorëzuar, mirëpo akoma nuk kemi marr përgjigje nga Komuna se a do të financohen apo jo. Ndërsa njërin nga Projektet të dorëzuara para dy muajsh në Ministrinë e Kulturës kemi marr përgjigje negative lidhur me financimin e tij. Me një fjalë ne jemi në pritje nëse do të mund të sigurojmë mjete, të cilat do ta bënin të mundur pjesën e mbetur të repertorit për këtë vit.
2lonline: Më të rejat në teatër?
Berisha: Me planin e biznesit ne kemi paraparë të zgjerojmë aktivitetin e teatrit ku do të koncentrohet kryesisht tek të rinjtë dhe fëmijët. Kemi paraparë të krijojmë edhe dy provizione tjera që janë Teatri i të Rinjve të Gjilanit (TRGJ) dhe i Fëmijëve (TFGJ) nën ombrellën menaxhuese të Teatrit të Gjilanit. Në kuadër të TFGJ tani do ta hapim klasën e baletit profesional për fëmijë nga 6 deri 12 vjeç, ku profesionist nga Prishtina do të vijnë për t’i mësuar këta fëmijë. Kjo pritet të filloj këtë muaj./2lonline/