Ibrahim KADRIU
TEATRI KOSOVË
( Pamja e parë )
Me dekret pa vullnetin e spektatorëve
Është ngritur Teatri Kosovë
Me një skenë akustike
Ku këndohen veç këngë trimërie
Dhe vihen në skenë
Premiera dramash e tragjedish
Teatri Kosovë ka traditë shekujsh
Gjithherë i vizituar
Me skenë të adaptuar
Sipas kërkesës së regjisë
Të regjisorëve kërkues shprehjesh
Të huazuara nga aktualiteti
Në Teatrin Kosovë
Duke pritur Godonë
Spektatorët i merr një gjumë i thellë
Shohin ëndrra
Në ëndrra i arrijnë kënaqësitë
Andaj nuk dëshirojnë të zgjohen
Loja e aktrimit vazhdon
Me gjatësi kohe të pandërprerë
Për Teatrin Kosovë
Çdo shekull i kishte biletat
Perandorë, diktatorë, krala e kurvarë
I kishin shfaqjet e preferuara
Të luajtura sipas shijes së tyre,
Shije të veçanta tragjedish
Të realizuara si askund tjetër
Në Teatrin Kosovë
Janë afishet dëshmi
Të mbetura si gurë varresh me shkronja
Të mbuluar me pluhur si me kërcënim
Shembujt e lojës së gjatë me aktorë të çmendur
Sipas teksteve të kontraktuara me gjak
Në Teatrin Kosovë
Aktrimi ishte fjala e parë dhe e fundit
Me përmbajtjet e zgjedhura enkas
Përmbajtje të ethshme të vendosur në shpirt
Të atyre që u ndeshen me skenën
E Teatrit Kosovë
( Pamja e dytë )
Në teatrin Kosovë
Beketi do ta humbte torruon
Në pritje të pakufishme do të kërkonte pushim
Në klinikën neurologjike të shtrihej për shërim
Derisa të mësohej si tretje kohe pa kufij;
Do ta ndërronte Godonë me fytyra tjera
Pale me çfarë vlerash do takohej kush e di se kur.
Në teatrin Kosovë
Krejt janë të mençur, heronj, sundimtarë
Regjisorë të shkëlqyeshëm e aktorë
Me shpinë të kthyer njëri-tjetri t, krejt pushtetarë
Të përulur mandatesh rrenave u bëjnë temena
Natë e ditë njësoj qeshin
Në skenën e hapur tek luhen rolet
Në dramën që zgjatë e s’dihet kur bie perdja.
Në teatrin Kosovë
Maskat kanë kuptimin qëndrojnë pranë pasqyrave
Aty ku ndërrohen petkat e grimi gjithsesi
Aty menjëherë pranë vetës së harruar
Para duartrokitjeve
Beketi do ta varte veten
Se s’mund t’ia gjejë fundin shfaqjes
Për t’i vënë pikë injorancës
Dhe nuk do të dinte kurrë
Momentin e duhur për ta përfunduar dramën
Para se personazhet të ndërronin gardërobën
E dizajnuar nga firma të njohura në botë.
Në teatrin Kosovë
Perdja vazhdon të jetë e ngritur pa u ditë kohëzgjatja
Repertori nuk ndryshon mbetur vetëm në një rrëfim
Për të gjitha vitet dhe stinët
Alegorisë i gjendet strehë
Më mirë se në çdo kohë
Teksti i dramës nuk ndryshon anon kah tragjedia
Ijago do ngreh padi për vjedhje të identitetit
Të pandryshuar me shekuj dhe ja tash
Në skenë i sheh kodoshët ia marrin petkat
Druan se nuk do t’ia kthejnë kurrë
Ijago do ngreh padi për ta kthyer identitetin e vjedhur
Vështir se do t’ia arrijë
Njësoj si personazhe të tjerë
Që nga antika të ruajtur deri më sot
E të shpërngulur
Në teatrin Kosovë.
Do ngreh padi në sistemin e drejtësisë
Nëse arrin të mos hetohet nga elita
Në teatrin Kosovë
Në teatrin Kosovë
Askujt s’i bëhet vonë të bëhet aktor i devotshëm
Gjithë bota e provoi skenën me talente të zgjedhur
Të ngritur akademive prestigjioze
Për eksperimente aktrimi me lojën që vazhdon ,vazhdon…
( Pamja e tretë )
Kishin marrë vesh për teatrin Kosovë
Nga Antika ishin nisur bashkërisht
Eskili me shokë të entuziazmuar për tema
Se kush u kishte thënë për gjetje frymëzimi
Nga dramat e gatshme me të gjitha thyerjet
Ku shpirtrat ishin në epruvetë
Në eksperimentim ku i bëhej analizë
Njeriut të humbur shpresash
Dhe njerëzit pëlqenin arratinë e shpirtit
Duke lënë lëkurën aty ku e kishin të rrjepur
Gjatë eksperimentit
Me matje të pulsit, të rrahjes së zemrës me aritmi.
Ata kishin marrë rrugën të arrinin në kohë
Se eksperimenti ishte i gjatë s’i dihej fundi
Më i gjatë se jeta e individit që humb durimin në pritje
Dhe vijnë individë të tjerë e strehohen në epruvetë
Si njerëz të humbur durimesh.
Dramë e gatshme për dramaturg të mëdhenj
Për teatrin Kosovë.
Eskili me shokë kanë nxjerrë biletat
Për aeroplanin që do të aterojë në Sllatinë
Me bindje se ardhjes së Godosë do ia shkurtonin orët.
Kishin marrë veshë se në vendin ku arrinin
I pritnin me tepihë të kuq andaj entuziazmoheshin
Të kënaqur se motiveve më të reja
Do t’u falnin ngjyrosjen e duhur
Njësoj siç kishin përdorur ngjyrat
Atëherë kur në Butrint organizonin premierat
Dhe në skenën e hapur të Athinës
Eskili me shokë, e të tjerë
Kishin marrë vesh gjithashtu se duhej të bënin përpjekje
T’i njoftonin njerëzit me efektet e skenës
Duke i sjellë nga zyrat për t’u parë në pasqyrë
Dhe do të urdhëroheshin të bënin duartrokitje.
Në teatrin Kosovë është krejt e mundshme
Shaj sa të duash, qaj me lot, piskat, qesh ose vdis duke qeshur
Përshurr në rrugë në daç bën edhe atë punë
Je i padukshëm,
S’e sheh as Godonë që ka harruar të vijë
Nuk i siguron askush biletë të gjorit
Është lodhur në pritje me shekuj e shekuj
Të gjej shqiptarin që e nderon shqiptarin
Duke i thënë njëherë e përgjithmonë injorancës lirona, aman!
( Pamja e katërt )
Në teatrin Kosovë
Veç shikimet kanë mbetur të arrijnë te ëndrrat
Kanë thënë se çdo kush mund të kënaqet me ëndrrën e vet
Askush s’mund t’u përzihet në ëndërrim
Për hatër të demokracisë aq shumë të trumbetuar
Ëndrrat e kanë vlerën e mbajtjes së shëndetit
Në vetminë e madhe duke pritur Godonë.
Godoja është penduar të vijë
Bën sehir nga larg
Duke krijuar bindje të reja
Se atje ku do të duhej të arrinte ku e presin
Nuk janë zbutur gjakrat dhe veset për ushqim të tepruar
Nuk dinë për kuptimin e fjalës ngopje dhe fjalorëve
Ua kanë lënë pa shpjegim fjalët hajni korrupsion krim…
Në teatrin Kosovë
Prodhohet veç energji njeriu
Dhe mundësia për ta mësuar vetëm abecenë
Dhe mjeshtërinë për lidhjen e kollares
Për britmat nuk duhet kurrfarë shkolle
Janë të traditës në pronësi të të gjithëve që ia mësyjnë shesheve
Tash e njëqind vjet britma, britma e britma
Për t’i dhënë shpirtit kurajë
Në teatrin Kosovë
Loja skenike vazhdon me të gjitha llojet e dramave
Brenda telave gjembor duhet ngrënë njëri-tjetrin
O, eja Godo
Aman bindu njëherë e përgjithmonë e mos na mbaj larg
Betohemi se jemi njerëz.
( Pamja e pestë )
Aq shumë tragjedi janë sublimuar në një skenë
Në skenën e Teatrit Kosovë
Në repertorin e sajuar enkas për kohë të gjatë në vazhdim
Për kohën e shumë brezave që s’arritën zbritjen e perdes,
Loja e luajtur ka mbajtur gjallë kërshërinë e spektatorëve
Të kënaqur me skenën e Teatrit Kosovë.
Aktet e filluara kush e di se kur u përcollën njëra pas tjetrës
Me forcën domethënëse deri në nxjerrje lotësh e stërpikje gjaku
Mbi skenë të ngritur para syve e zemrave,
Ku personazhet me insistimin e regjisë
Për ta mbajtur gjallë efektin e tragjedisë
Me vdekjen e tyre plotësonin dëshirat e ndezura
Me vdekjet e tyre e mbanin gjallë Teatrin Kosovë.
(Botohen me rastin e 70 vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe 5o vjetorit të krijimtarisë së tij letrare )