(2L ONLINE) – Të shtunën (nesër) në Gjilan nis manifestimi “Vjeshta letrare 2014”, edicioni i pestë, që zgjat deri më 20 dhjetor dhe në programin e saj përmbledh 16 përurime librash dhe portrete letrare. Manifestimi organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu” dhe Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini e Sport.
Botimet e reja të vitit 2014, do paraqiten në Hapje të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, më 11 Tetor 2014 si dhe në Panairin e Librit në Gjilan, që do të mbahet më 23, 24, 25 tetor 2014, bashkë dhe me botime të tjera nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”..
Ditën e parë, më 11 tetor, bëhet hapja solemne në Gjilan, për të vazhduar më 15 tetor, me përurimin e librit poetes Qëndresë Shala “Pritja jote jam”, në sallën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.
Më 18 tetor, në Gjilan prezantohet “Portreti letrar i Bujar Salihut”, i cili krijon e vepron në Zvicër. Më 23 tetor, pas hapjes solemne të Panairit të Librit në Gjilan, mbahet Ora e shkrimtarëve, ku do të paraqiten anëtarë të Pen Qendrës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe të Ars Clubit “Beqir Musliu”.
“Vjeshta…” vazhdon më 25 tetor, me portretin letrar të Prend Buzhalës, për të shkuar tutje, më 8 nëntor, me portretin letrar të Zejnepe Aliut -Rexhepit nga Tetova. Të dyja këto aktivitete mbahen në Gjilan.
Më 15 nëntor prezantohet poezia e Edona Halitit, në Viti, kurse më 22 nëntor bëhet paraqitja e librit më të ri të Nexhat Rexhës “Zogjtë fluturojnë në kafaz”.
Në dhjetor zhvillohen dy aktivitete të “Vjeshtës….”. Më 6 dhjetor, vjen mysafiri i Vjeshtës, që kësaj here është shkrimtari Petrit Palushi nga Kukësi.
Kurse më 20 dhjetor, në program është paraqitja e Edicionit të tretë dhe të katërt të Manifestimit “Vjeshta Letrare e Gjilanit” dhe përmbyllja e manifestimit të sivjetmë. /2L ONLINE/