Fillimi i vitit 2014 solli një lajm të mirë dhe pak më ndryshe se herëve të tjera për Prizrenin. Në listën e vendeve më të mrekullueshme të botës të shpallur nga MSN-i për vitin 2013, qyteti i Prizrenit radhitet në vendin e nëntë ndër vendet më të bukura në botë.
“Lumi Lumbardhi rrjedh nën urën 500-vjeçare të gurit në qytetin e Prizrenit në Kosovë”, kështu e përshkruan MSN, qytetin e Prizrenit.
Organizata Joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”, vlerëson lartë renditjen e qytetit të Prizrenit nga MSN, në mesin e qyteteve më të mira në botë.
Elmedina Baxhaku thotë se hyrja e qytetit të Prizrenit, në mesin e vendeve më të mira në botë,ishte një lajm i mirë jo vetëm për qytetarët e këtij qyteti, por për gjithë Kosovën.
“Ishte një lajm i mirë për të gjithë”, tha ajo. Baxhaku thotë se sfida kryesore e vitit 2014, për të gjitha institucionet lokale dhe qendrore mbetet ruajtja e trashëgimisë kulturore të Prizrenit.
”Institucionet lokale, por edhe ato qendrore duhet të angazhohen që trashëgimia kulturore e Prizrenit të ruhet dhe të mos lejohet të degradohet”, tha Baxhaku, raporton “PrizrenPress”
Sipas saj, fatkeqësisht shumë objekte të trashëgimisë kulturore për shkak moskujdesit të institucioneve janë shkatërruar.
“Organizata ‘EC MA Ndryshe’ gjatë vitit të kaluar ka mbledhur nënshkrimet e qytetarëve kundër degradimit të qytetit. Ky peticion shumë shpejt do t’i dorëzohet kryetarit të Komunës së Prizrenit”, tha Bazhaku.
Ajo premton se “Ec Ma Ndryshe” edhe gjatë këtij viti, do të angazhohen për të mbrojtur vlerat të cilat qytetin e Prizrenit e kanë renditur në mesin e vendeve më të mira në botë