(2LONLINE) – Të rinjtë janë promotori kryesor për zhvillimin e Ballkanit dhe me bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet vete, do të ketë më shumë mundësi të përmirësohet gjendja aktuale në Ballkan, u tha sot në Tryezën Rajonale me titull “Hap pas Hapi – Zhvillimi i rinisë përmes bashkëpunimit rajonal” që u mbajt më 15 Nëntor 2013 në Prishtinë, e organizuar nga Këshilli Qendror i Veprimit Rinor dhe përkrahur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Gjatë kësaj tryeze u diskutuan tema të ndryshme siç është: Liria e lëvizjes si mjet për zhvillimin e rinisë, programet për shkëmbim të të rinjve dhe mundësitë për shkëmbim të rinisë në Ballkanin Perëndimor .
Kjo tryezë rajonale është organizuar me qëllim për të krijuar një platforme për rrjetëzim, dialog dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet organizatave ombrellë të të rinjve.
Në adresimin fillestar të bërë nga kryetari i Këshilli Qendror të Veprimit Rinor, Murat Murati, është përshëndetur mos hezitimi i pjesëmarrësve në tryezë nga vendet e rajonit.
“ Ne si të rinj duhet ta shohim të ardhmen e përbashkët dhe bashkërisht të lobojmë për interesat kolektive. Do të ishte mirë që ne si Këshille Rinore, të formojmë një rrjetëzim, pra bashkarisht ta formojmë Këshillin Rinor Ballkanik në mënyrë që t’i shkëmbejmë përvojat e mira”- u shpreh kryetari Murati duke potencuar se vullneti për të bashkëpunuar është i madh.
Takimit i është drejtuar edhe Drejtori i Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhevat Bajrami. Ai tha se ky departament ka për qellim dhe mision të përkrahë rininë kosovare në të gjitha fushat.
“Jemi shumë të interesuar që në të ardhmen ta rrisim dhe fuqizojmë rolin e KQVR-së, duke krijuar një partneritet të fuqishëm në mënyrë që t’i dilet ballë të gjitha sfidave dhe nevojave të rinisë së Kosovës”, tha Bajrami.
Po ashtu Bajrami kërkoi që se bashku me rininë të krijohet një perspektivë e shëndoshë në të gjitha fushat si në atë ekonomike, sociale, kulturore dhe artistike.
Ndërsa përfaqësuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Yll Buleshkaj shprehi vullnetin e këtij misioni për të përkrahur themelimin dhe fuqizimin e mekanizmave përfaqësues të rinisë dhe mënyrat që do të forcojnë bashkëpunimin rajonal. Ai po ashtu tha se KQVR tani ka ngritur kapacitete e saj dhe se OSBE do t’i qëndroj pranë edhe në të ardhmen, për organizime të tilla siç ishte organizimi i sotëm në Prishtinë.
Pjesëmarrësit nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova thanë se mungesa e lëvizjes së lirë mbetet pengesë e madhe e të rinjve kosovarë për t’i promovuar vlerat e saj rinore dhe kulturore në Evropë dhe si e tillë pamundëson edhe një bashkëpunim të shëndoshë rajonal për rininë e cila ka potencial për të ndryshuar vendin për të mirë . Ata u pajtuan për të ngritur zërin e tyre për një bashkëpunim me të madh rajonal, duke u zotuar që në ardhmen si një zë i vetëm të bëhen pjesë e vendimmarrjes edhe në familjen e madhe evropiane.
Tryeza rajonale mbledh rreth 35 përfaqësues të rinisë nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor. Ky takim ishte një mundësi për të gjithë që të dëgjojnë qëndrime dhe këndvështrime të të rinjve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në lidhje me çështje të ndryshme. Takimi i sotëm është në vazhdimësi të takimeve të organizuara më herët në Prishtinë dhe në Beograd.
Konferenca e radhës do të mbahet më 16 Dhjetor 2013, në Prishtinë. Në konferencën e ardhshme pritet të krijohet një Grup punues për themelimin e një Rrjeti Rinor Ballkanik. /2lonline/