Green Art Center-Prishtina, zyra në Gjilan, të hënën ka organizuar aktivitete për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit. Këto aktivitete u organizuan nga zyrtarë të GAC-it ndërsa u përkrahën nga nxënësit e Klubeve të Gjelbëra si dhe arsimtarët përgjegjës të këtyre klubeve.
Aktivitetet e ditës së sotme nisën me marshin e nxënësve nën moton “Duam Mjedis të Pastër”, të cilët parakaluan përgjatë një pjese të qytetit të Gjilanit, duke mbajtur kapela dhe pankarda me mesazhe të shumta sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit.
Zyrtarë të GAC-it janë shprehur të kënaqur me gadishmërinë e shkollave për të bashkëpunuar dhe me gadishmërinë e nxënësve për të përcjellë cdo aktivitet të tyre. Ata thanë se i vjenë mirë kur i shohin pikërisht fëmijët, duke dashur të bëjnë ndryshime dhe të vetëdijesohen në këtë aspekt.
Prandaj, edhe shfrytëzuan rastin ti falenderonin të gjitha Klubet e Gjelbëra për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin kësaj nisma të GAC-it për mbrojtjen e mjedisit dhe gjithckaje që na rethon.
Aktiviteti ka vazhduar edhe me vendosjen e një stende në një pikë të qytetit si dhe me shpërndarjen e njoftimeve dhe cantave ekologjike për qytetarë.
Ndërsa, aktivitete të ngjashme gjithashtu janë zhvilluar edhe në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren dhe Gjakovë, ku është parë një masovitet I nxënësve dhe qytetarëve në përgjithësi, të cilët kanë shprehur kënaqësinë të jenë pjesë e aktiviteteve të tilla të dobishme dhe të domosdoshme për vendin tonë.
Ndryshe, aktivitetet e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, janë shënuar me qëllimin e vetëm, që të përcjellin mesazh sensibilizues tek të gjithë qytetarët e Kosovës, për ruajtjen e ambientit dhe mbrojtjen e tij.