(2LONLINE) – Ruzhdi Rashiti, zyrtar për kthim dhe komunitete, thotë se gjatë vitit 2013 kanë dërguar në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete një listë prej 48 familjeve (12 serbe e 36 rome), të cilët kanë bërë kërkesa për ndërtim të shtëpive dhe ata shpresojnë se përgjigja do të jetë pozitive.
Ndërkaq, 5 raste tjera, të cilat kanë nevojë për adaptim të shtëpive, janë dërguar te organizata “Mercy Corps”. Në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të punësimit është punuar në projektin e aftësimit profesional për të riatdhesuarit.
Zyrtarët e Zyrës për Kthim dhe Komunitete (ZKK) kanë qenë të angazhuar njëherësh edhe në procesin e riatdhesimit, përkatësisht kthimit nga vendet e treta të atyre qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët nuk kanë arritur të rregullojnë statusin e tyre të qëndrimit në shtetet e jashtme.
Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me ndihma në ushqim, dru zjarri, plan biznesi, orendi, barna, trajtim mjekësor e të tjera, thotë Rashiti. Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, kërkesë për ndihma të ndryshme në ZKK kanë bërë gjithsej 95 familje me 280 anëtarë. Prej tyre, 62 janë shqiptarë, 16 serbë, 22 rom, 2 ashkali dhe një goran.
Këto familje janë riatdhesuar nga shtete të ndryshme: nga Suedia – 33 familje, nga Franca – 25, nga Zvicra – 12, nga Belgjika – 8, nga Gjermania dhe Danimarka – nga 7 familje, nga Luksemburgu – 5, nga Austria – 2, ndërsa nga Hungaria, Holanda, Anglia dhe Finlanda – nga një familje.
Rashiti thotë se 17 familje janë ndihmuar me plane-biznesi, 43 me gjera ushqimore dhe higjienike, 4 me rindërtim të shtëpive, 2 të tjera me ndërtim të shtëpive, 8 janë ndihmuar me sigurimin e banimit, 12 – me dru zjarri, 4 me barna, 2 me trajtim mjekësor, 7 me orendi, ndërsa 4 familje janë ndihmuar me asistencë të plotë.
Pjesa më e madhe e familje të riatdhesuara nga vendet e treta – 63 sosh, janë kthyer në pjesën urbane, ndërsa 32 të tjera, në pjesët rurale të banimit.
Gjatë vitit 2013, pako ushqimore dhe higjienike kanë marrë 231 raste, banim me qira u është siguruar 10 rasteve, dy rasteve u janë ndërtuar shtëpitë si dhe janë ndarë ndihma tjera për të kthyerit tjerë, varësisht prej nevojës së tyre. Rashiti thotë se kërkesa për rindërtim të shtëpive dhe për plan-biznesi, ka edhe të tjera, që janë në pritje për t`u miratuar nga niveli qendror.
Po ashtu, ZKK është duke u marrë edhe me procesin e kthimit të të zhvendosurve. Me UNHCR-në dhe me Agjensionin Kosovar për Ndërmjetësim dhe Zhvillim, në bashkëpunim edhe me Organizatën gjermane ASB janë ndihmuar me ushqime 12 familje rome dhe serbe të kthyera.
Të riatdhesuarit kanë nevojë për pajisje me dokumente personale, ku janë ndihmuar nga zyrtarët e ZKK, thotë Rashiti. /2lonline/