(2L ONLINE) – Të premten në ora 12:00, qytetarët e Gjilanit do të mund ta dëgjojnë sirenën alarmuese, por se nuk duhet të shqetësohen për asgjë, pasi një gjë e tillë do të bëhet vetëm sa për t’u testuar alarmi për raste emergjente përmes sirenës, e cila nuk është përdorur që sa vite.
Kështu ka bërë të ditur Halit Rexhepi, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, sipas të cilit ky alarmim nuk ka të bëjë me ngjarje të rrezikshme por thjeshtë është testues për pajisje alarmuese.
”Pas testimit provues qytetarët do të njoftohen me llojet dhe përmbajtjet e alarmeve, të cilat japin për të kuptuar për llojin e fatkeqësisë elementare ”, tha Rexhepi.
Sipas tij, gjatësia e alarmeve do të jetë dy-tre minutash. Vlen të kujtohet se lëshime të alarmit në Gjilan ka pasur para luftës së fundit në Kosovë, dhe atë, në Teatër të Qytetit, Fabrikën e Baterive dhe Shërbimin e Zjarrfikësve.
“Momentalisht nuk kemi qasje në to, andaj edhe po testojmë alarmin e Shërbimeve të Zjarrfikësve”, tha drejtori Rexhepi, duke bërë me dije edhe se, për këtë ngjarje do të njoftohet edhe Policia e Kosovës, FSK-ja, dhe KFOR-i. /2L ONLINE/