Historia na tregon se fati tragjik i shqiptarëve ishte atëherë kur në mes të Turqisë dhe Rusisë bëheshim marrëveshje, atëherë pësonin shqiptarët tragjikisht dhe humbnin trojet e tyre shekullore.
Shkruan: Sami ARIFI
Marrëveshja Jugosllavi-Turqi-Greqi e 28 shkurtit 1953 e njohur si Pakti Ballkanik e cila ishte nënshkruar në Ankara, vazhdonte edhe pas Konventës së mëhershme jugosllavo-turke të vitit 1938.
Vetëm në periudhën gjatë viteve 1953-1968 nga Jugosllavia për në Turqi janë shpërngulur 414 mijë e 500 shqiptarë. Këto të dhëna janë në bazë të shënimeve nga shërbimet konsullate (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, ku në të njëjtën kohë në Kosovë ishin sjell 63 mijë kolon sllavë, ku pas rënjes së Aleksandër Rankoviçit, duke mos mundur ta durojnë një farë të ashtuquajtur “barazi” me shqiptarët, serbët shumica prej tyre UDBA-sh, kriminel, marrin ikjen për në Serbi.
Statistikat e mëvonshme tregojnë se shqiptarët gjatë viteve 1952-1965 për në Turqi ishin shpërngulur 452 mijë e 371.
Në të njejtin vit detyrohen të shpërngulen me dhunë edhe shqiptarët nga Mali i Zi, kryesisht nga Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Ulqini, Tivari, Triepshi, Shpuza, Kraja e të tjera. Dhuna ushtrohej ndaj shqiptarëve në format nga më të ndryshmet, nën pretekstin kinse shqiptarët posedonin armë “Për mbledhjen e armëve” në dimrin e vitit 1955-1956, ku përmes dhunës keqtrajtohen shqiptarët më se 30 mijë në format më mizore.
Nga kjo ekspeditë e UDB-së, nga rrahja e torturat u mbytën 103 shqiptarë, ndërsa u sakatosën (gjymtuan, mbetën invalid) për jetë mbi 100 mijë të tjerë.
Për shpërnguljen e vitit 1953 ishte marrëveshja “Xhentëlmene” jugosllavo-turke ndërmjet Titos dhe Kyprelit që japinë një pasqyrë mjaft të mirë për ta kuptuar këtë marrëveshje. Marrëveshjet e tilla i pasqyrojnë edhe veprat e historianëve shqiptarë siç janë:
Fehmi Pushkolli, “Fronti Popullor-Lidhja Socialiste e Kosovës”, Jusuf Osmani, “Vendbanimet e Kosovës-Gjilani”, Sabile Basha, “Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës”, Hakif Bajrami, “Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844-1995”.
Pas Luftës së Dytë Botërore, pra, në mes kryetarit të Jugosllavisë Josip Broz Titos dhe ministrit të punëve të jashtëme të Turqisë Fuad Kyprelit, kemi takimin në Split në mes tyre, për shpërnguljen e shqiptarëve (viti 1953) për në Turqi. Ky ishte vazhdim i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi në bazë të Konventës së para Luftës së Dytë Botërore, më saktësisht të vitit 1938, që u zbatua menjëherë pas prishjes së marrëveshjes Jugosllavi-Shqipëri me pretekstin se shqiptarët i shërbenin Shqipërisë, u dënuan dhe internuan nëpër butgje mbi 468 shqiptarë të cilët u dërguan në kampin famkeqë të Goli Otokut, kjo shifër është marr nga libri i Meriman Brahës, “Goli Otoku histori e drishët e krimit shtetëror jugosllavë”.
Pra, Serbia për t’i shpërngulur shqiptarët bënte lidhje sa më të ngushta me Turqinë.
Historia na tregon se fati tragjik i shqiptarëve ishte atëherë kur në mes të Turqisë dhe Rusisë bëheshin marrëveshje, atëherë pësonin shqiptarët tragjikisht dhe humbnin trojet shekullore të tyre.
Uroj që pas të gjitha këtyre pësimeve të kemi marr mësim të kemi “Kokën dhe trupin e shëndosh”, kjo do të ishte fatmirësi. Nëse koka është e sëmura trupi i shëndosh bëhen të sëmura që të dyja, nëse koka është e shëndosh trupi i sëmura shërohen që të dyja, meqë koka shëron trupin. Uroj udhëheqësia (koka) të jetë e shëndosh, populli (trupi) besoj se e ndihmon shërimin e vet. Të marrim mësim nga pësimet…!