(2LONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit do të mbajë mbledhjen inauguruese të martën më 24 dhjetor. Mbledhja është ftuar nga kryetari i zgjedhur i Komunës, Lutfi Haziri.
Në këtë seancë, 35 anëtarët e rinj të asamblesë komunale të Gjilanit do të bëjnë betimin dhe do të nënshkruajnë deklaratën solemne për marrjen e detyrës.
Një fjalë mirëseardhëse do ta mbajë anëtari më i vjetër i Kuvendit të Komunës, i cili njëherësh kryeson mbledhjen inauguruese të përbërjes së re të vendimmarrjes. Pastaj betimin do ta jap edhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse para anëtarëve të Kuvendit Komunal.
Sipas agjendës, pas seancës inauguruese pritet të bëhet edhe pranim – dorëzimi I detyrës zyrtare të kryetarit të komunës, pastaj kryetari i ri i Gjilanit do të bëjë emërimin e ushtruesve të detyrës së drejtorëve të ri, e do të organizojë pritje të shumta.
Një nga premtimet e kryetarit Haziri ka qenë se selia e kryetarit do të lirohet për muze, andaj pritja e parë që do ta bëjë ai, do të jetë për përfaqësues të kulturës, do të takohet me drejtorin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore si dhe përfaqësues të Qendrës Varg e Vi.
Pastaj, do të pres përfaqësues të Bashkësisë islame, anëtarë të kryesisë së Degës së LDK-së, të Forumit të Gruas dhe atij Rinor, të kryetarëve të nëndegëve, përfaqësues të policisë regjionale, komunale dhe prokurorisë. Do të pres edhe drejtorin rajonal të OSBE-së, do të bëhet kompletim i Këshillit të Flakës, do të takohet edhe me kryetarët e komunave të Kosovës Lindore dhe do të përfundoj me një koktej me strukturat e LDK-së.
Përndryshe, anëtarë të Kuvendit Komunal sipas rezultateve janë: Lutfi Haziri, Valentina Bunjaku-Rexhepi, Avdyl Aliu, Isa Agushi, Imet Rrahmani, Arben Mehmeti, Nevzad Rushiti, Zijadin Maliqi, Shpresa Kurteshi, Jehona Hyseni, Florina Jerliu (LDK), Izmi Zeka, Bujar Nevzati, Riad Rashiti, Sahit Abazi, Bajram Hasani, Shukrije Rapuca, Leonora Bunjaku, Fatbardha Selmani (PDK), Selami Xhemaili, Ibish Ibishi, Mevlyde Zejnullahu, Adelina Berisha (AAK-LDD), Nevzad Isufi, Fehmi Sylejmani, Besa Baftiu, Arijeta Rexhepi (VV), Arben Maliqi, Mizafere Ismajli (AKR), Selver Xhelili (LR), Labinotë Demi-Murtezi (PD), Sejdulla Kadriu (Vatra), Kadir Hysein (KDTP), Ismet Hajdini (PSD) dhe Srgjan Mitroviq (ZEP).
Kjo përbërje e Kuvendit do të ndërrojë, për ndonjë anëtar, kur Haziri të merr postin e kryetarit e të formohet qeverisja lokale dhe nëse në të eventualisht përfshihet edhe ndonjëri nga këta këshilltarë të lartpërmendur. /2lonline/