Poeti Selajdin Shabani tashmë nuk mund të quhet poet vetëm për faktin se shkruan fjalë dhe iu jep trajtën e poezive, por sepse di të shkruaj vërtetë poezi në stilin e tij origjinal.
I shkruan të tilla pasi i tillë është dhe shtrati prej nga burojnë fjalët. Poetik si një lum me dimensione të gjera dhe ngushtësi, me brigje të bleruara, të shkreta, me njerëz dhe bosh.
Ai di të shkruaj, jo vetëm për vete, por për të gjithë.
Ai prek çdo shpirt që i lexon këto vargje dhe bëhet pjesë e të gjithëve. Natyrë e lënguar ndoshta do të thoshte dikush teksa lexon vargjet që enden nëpër rrugica të shtruara mirë, por edhe nëpër monopate jete.
Ndërsa unë do ta cilësoja si një poet që hap thellësitë e shpirtit dhe arteriet e zemrës me forcën e gjakut që lëvrin furishëm. Qetë, herë me mëngjesin e diellzuar e herë të vrenjtur nga retë, herë në mbrëmjen e pikëzuar yjeve e herë me hënën që luan kukafshehtas me syrin dhe ndjenjën.
Dhe refreni i poezive të tij “ Të kam thënë…” të shtyn të mendosh, të reflektosh. Herë i drejtpërdrejtë e herë mistik në vargjet e tij, në fjalët e tij
“Të kam thënë…” të gjithë e kemi përdorur, të gjithë e përdorim këtë shprehje, si për të kujtuar diçka të shkuar që nuk duhet harruar. E ka një vlerë të mirëfilltë ndaj dhe duhet risjellë në kujtesën e ditës që jetojmë.
Është si një lajtmotiv dhe befas shoqërohemi me pyetjet “Kujt?”, “Kur?”, “Ku?” ia ka thënë. Çfarë i ka thënë dhe a ia kanë kuptuar thelbin e gjithë saj.
Duke lexuar poezitë e ciklit “Të kam thënë… Lajdins” e mëson se çfarë ka thënë e vazhdon të kërkoj të thotë autori në këtë vëllim të mirëstrukturuar poetik.
Në vargjet e këtij vëllimi ndihet filozofia e jetës në shumë dimensione të saj dhe e gjitha kjo përmblidhet dhe gjen shtjellim përmes të thënit të autorit drejt personazhit me emrin Lajdins që në të vërtetë është vetja e tij, por që mund të jetë edhe një personazh i jetuar i ditëve të tija. Por mbetem tek e para: Lajdins është vetë autori dhe e gjitha kjo tërësi poetike mund të përkthehet si një intervistë me vetveten dhe ditët e jetës së tij.
Të kam pas thënë, Lajdins
se jeta është përrallë,
por, ti nganjëherë ngashënjeheshe, jo rrallë.
E, përmes gjetjeve gjuhësore, emocioneve njerëzore, autori përshkallëzohet duhet e cilësuar jetën si një lojë, ujë, urë, këngë, shtegtim.
Në gjithë dekorin e saj jeta i ka dhënë autorit më pak sesa ka merituar në të vërtetë, por përsëri e vazhdon rrugën e saj që herë duket me dritë e herë një labirint pa krye.
Të kam pas thënë
dhe po të them përsëri Lajdins,
se jeta është hipokrite,
herë pa sheqer,
herë pa cipë,
herë bajate
e herë-herë pa fije kripe.
Të thënat e autorit gërshetohen mes moteve dhe stinëve që aq bukur vijnë në formën e lirikave, të rrëfimeve shpirtërore. Aty do të gjejmë stërndezjen e ngjyrave të stinës së vjeshtës, por me një ndalim për të shijuar frutat e saj sepse:
“Të kam thënë në vjeshtë
se vjen si mollë e artë
që nuk këputësh dot
e as nuk blihesh,
as nuk hahesh.
Diku fut zjarr e diku stres
gjer në palcë.”
Përmes vargjeve të tij autori Selajdin Shabani arrin që të rrugëtojë në çdo ditë e çast të motit duke përdorur së tepërmi krahasimin dhe dhënë mendime të qarta, por herë pas here edhe të kamufluara duke e shtyrë lexuesin të sendërtojë veten e tij përmes këtyre vargje.
Të kam thënë në dimër,
se je e bardhë si bora,
që në ty unë shkrihem
si vesa e si grihera.
Të shkrihesh në borë, në fakt duhet të ndodh e kundërta. Të ngrish nga temperaturat e ulëta, por cilat janë ato energji, ai zjarr ai burim që sjell një reaksion të kundërt për autorin. Por autori ka një shpirt të blertë, të çelur, me jetë që fle dhe që pret çastin e zgjimit, ashtu si një syth i ri që shpërthen e mbushet me limfë në stinën e pranverës.
Në pranverë vjen e blerta
dhe sjell frymë që frymon
dhe natyrës i jep kuptim
për të vazhduar në zgjim.
Për autorin ditët, muajt e vitet nuk sjellin shqetësim pas. Koha për të është thjesht një datë në kalendar, është një lindje dhe perëndim dielli, një stinë që tashmë nuk dihet kur fillon e kapërthehet nga stina tjetër.
Të kam thënë në një mot
se ti vjen si tronditje.
Ani pse koha vjen e shkon
Ti vazhdon si pikëpyetje e si pikëçuditje.
Nëse do të lexojmë një nga një krijimet e vëllimit poetik “Të kam thënë…Lajdins” do të kuptojmë merakun, shqetësimin, trillet, pabesitë, bukuritë, dashuritë, zhgënjimet dhe dëshirën e madhe për të jetuar pavarësisht se nuk mungojnë trishtimet e mëdha për një natyrë burrërore, por me shpirt delikat. Shpirti te autori duket që ka mbetur në adoleshencë, në rini, në kohën më të bukur të ngjizjes së ëndrrave.
Jeta të jep më pak se e meriton
ani pse ke të drejtë
askush s’të pyet
edhe pse të gjithë të duan,
kur ti, u duhesh.
Autori është më se i qartë në vetvete që nuk ka rëndësi të jesh i mirë të të përkëdhel jeta. Jo! Ajo të mban të mbërthyer në duart e saj dhe të përtyp, të kafshon, të pështyn dhe kur ti teket edhe të përkëdhel, të puth, të përqafon, por në varësi të tekave të saj edhe të braktis.
Jeta të shtrydh e të ndrydh,
ani pse ti je i mirë.
Ajo vjen e fryrë dhe si e gëzuar,
por të vret pa mëshirë.
Duke dashur të ndajë pak mendime për vëllimin poetik “Të kam thënë… Lajdins” dua të theksoj faktin se autori sjell në krijimtarinë poetike një gjetje emocionale njerëzore e cila ndërthuret me një gjuhë të mirëfilltë poetike e mbarsur me figuracion poetik natyral dhe jo të forcëzuar që do t’ia zbehë në të vërtetë gjithë kuptimin këtij cikli.
Duke lexuar këtë vëllim shprehem pa nguruar që çdo lexues ka udhëtuar në jetën e tij dhe ka folur me veten e tij.