Shkruan: Blerim SHERIFI – /PhD Candidate në Gjuhë Angleze/
Të jesh mësues nuk është aspak e lehtë nëse e kupton drejt rolin dhe përgjegjësinë që ke para vetës!
Disortografia- vështirësitë në të shkruar
Prandaj mësuesi vazhdimisht duhet të jetë vetëzhvillues dhe nuk duhet kurrë të pushoj së mësuari!
Prandaj Mësimdhënia është art po aq sa edhe shkencë ngase përveç njohurive të fituara gjatë studimeve, patjetër se duhet metodologji, forma dhe teknika të ndryshme e aktivitete të shumta për ta bërë mësimdhënien art dhe mësimxënien të dashur për fëmijët.
Ndoshta mësimdhënia edhe mund të jetë e lindur si art në vete por bëhet e fituar kur punohet shumë në zhvillimin e shkathtësive dhe marrjen e njohurive të reja duke qenë të përkushtuar dhe dhënë pas punës së mësuesit me pasion të veçantë.
Çdo individ përkatësisht fëmijë është i veçantë andaj edhe jo të gjithë mund mësojnë njësoj.
Siç edhe e dimë njerëzit dhe në këtë rast nxënësit ndryshojnë nga njëri-tjetri në shumë karakteristika si psh: dëshirat, zhvillimi mendor, emocional, fizik, intelektual, stilet e të mësuarit, përvoja, interesat, preferencat, motivi e tjera. Andaj këtu kërkohet angazhimi maksimal i prindërve dhe mësuesit në identifikimin e hershëm të vështirësive të të nxënit te fëmijët.
Prandaj aspak nuk qëndron e vërtetë që nxënësit me vështirësi në nxënie janë nxënës të vonuar, dembelë, më pak inteligjentë, e që faji të bartet të shkolla, klasa e më së shumti të akuzohet mësuesi siç edhe është bërë praktikë kjo shumë e keqe fatkeqësisht në shoqërinë tonë.
E them këtë meqë vështirësitë në të nxënë te fëmijët nuk janë përcaktues apo matës të inteligjencës së një nxënësi meqë ai mund edhe të jetë shumë inteligjent por ndoshta rezultatet që ata arrijnë gjatë të nxënit janë të ulëta dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rezultate. Kësaj here do të flasim për disortografinë- apo njohur ndryshe si vështirësi e gjuhës së shkruar. Fatkeqësisht sot një numër gjithnjë e në rritje po shfaqet i atyre që kanë vështirësi për të shkruar saktë dhe drejt gjuhën që flasin. Për fat të keq sot nxënës, studentë, mësimdhënës, zyrtarë të lartë të institucioneve e njerëz të pozitave të ndryshëm bëjnë gabime të ndryshme në të shkruar.
Sipas (McWhirter, J.J.,1977) Disortografia është vështirësia që nxënësit kanë për të shkruar saktë gjuhën që flasin dhe kjo mund të vijë si pasojë e perceptimit dëgjimor dhe visual. Disortografia pra ndikon në aftësinë për të transkriptuar fjalorin në përputhje me rregullat e drejtshkrimit të asaj gjuhe dhe nga kjo mund kuptohet se nxënësi fjalët i shkruan të bashkuara apo ndara me rrokje dhe ashtu edhe i shqipton.
Po cilat janë shkaqet e disortografisë?
Mungesa e kujtesës dëgjimore dhe vizuale
Vështirësi në orientim – kohë dhe hapësirë
Mungesa e vëmendjes( full attention)
Fjalor jo i pasur
Mungesa motivimit, përkrahjes, inspirimit nga mësuesi dhe prindi
Metoda joadekuate e mësimdhënies nga mësuesi dhe mësimnxënies nga vet nxënësi
Fëmijët e tillë:
ngatërrojnë shkronjat e alfabetit që tingëllojnë njësoj kur shqiptohen, si p.sh. [f] dhe [v], [p] dhe [b], [t] dhe [b], [d] dhe [p],
janë konfuzë kur fonemat u duken njësoj
kur grafemat u duken të ngjashme psh b dhe p, m dhe n,a dhe e
ndryshojnë renditjen e shkronjave, psh lavamani- valaman
kur fjala ka dy bashkëtingëllore, psh llumi-lumi
zanoret në mes fjalëve, psh qielli- qelli
Si duhet trajtuar?
Ne si mësimdhënës dhe prindër duhet që të kemi shumë kujdes dhe vëmendje në rezultatet e arritura nga fëmijët. Fillimisht duhet të shikohet nëse fëmija ka probleme tjera sikur se disleksia apo disgrafia apo edhe diskalukia andaj këshillimi me psikologët duke bërë teste të ndryshme të inteligjencës do na ndihmonte për të përjashtuar dyshimet në lidhje me vështirësitë tjera .
Duhet sa më shumë të i përkushtohemi drejtshkrimit nga ana e nxënësit si dhe sa ata janë të mire dhe aftë në lexim në mënyrë që të evidentohen të gjitha gabimet e bëra nga nxënësit. Poashtu trajtimi më i mirë do të ishte praktikimi i sa më shumë ushtrimeve të ndryshme si diktime, shkrimi eseve, kopjimi apo edhe shkrimi i teksteve të ndryshme.
Në fund mësuesit, nxënësit dhe prindërit duhet që në mënyrë të vazhdueshme të punojnë shumë në identifikimin e vështirësive që nxënësit shfaqin gjatë edukimit të tyre.
Jo të gjithë nxënësit mësojnë njësoj- prandaj kur mësuesi bën punën me dashuri, pasion, vullnet dhe përkushtim të pashembullt dhe kur mësuesi luan, aktron, interpreton, demonstron, simulon skena të ndryshme me të vetmin qëllim që të nxënit të jetë në nivelin më të kënaqshëm, atëherë edhe rezultatet janë të arritshme. /2LONLINE/