Jakup Krasniqi thotë se të gjitha partitë ishin për themelimin e Gjykatës Speciale dhe se vetëm ai ishte kundër.
Kështu ka shkruar ai në një reagim të tijin duke ia rikujtuar kryeministrit Isa Mustafa takimet që janë bërë për këtë temë, mes të gjitha subjekteve, ambasadores amerikane Tracey Ann Jacobson dhe zyrtarëve të tjerë të huaj.
I thotë rifreskoje kujtesën e mos mashtro.
Krasniqi thotë se takimet janë mbajtur: i pari, në Ambasadën e SHBA-së, nën drejtimin e Ambasadores Jakobson dhe i dyti, në Zyrën e BE-së, nën drejtimin e z. Zhbogar dhe i treti, në Rezidencën e Ambasadorit te Gjermanisë Federale.
Ja si vazhdon më tej shkrimi i tij:
Ne këto takime nga pala e Kosovës kanë marrë pjesë: Kryeministri e zv.kryeministri (PDK), unë e kam përfaqësuar Kuvendin (Nismën), nga LDK-ja, Kryetari dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, nga AAK-ja, Kryetari dhe Nënkryetari dhe Presidenti i AKR-së. (Me emra: Hashim Thaçi e Hajredin Kuçi, Jakup Krasniqi, Isa Mustafa e Ismet Beqiri, Ramush Haradini dhe Blerim Shala dhe Behgjet Pacolli).
Ne ato takime ku është kërkuar mendimi ynë për Gjykatën Speciale, të gjithë, e ma të gjithë ju, përveç meje, jeni pajtuar e më pas edhe keni votuar për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës. Unë as jam pajtuar e as e kam votuar për ketë çështje. Nëse, Kryeministër nuk të ka len kujtesa, unë në mes të tjerave kam pas thënë: Gjykimet e krimeve te luftës edhe për Kosovën janë gjykuar nga Tribunali i Hagës. Nëse është fjala për krimet e pas luftës, UCK-ja nuk duhet të përmendet (pasi ajo ishte demilitarizuar më 21/22 qershor 1999). Marrëveshja është nënshkruar në Aeroportin e Sllatinës. Pastaj për tu krijuar Gjykata Speciale, duhet që te konfirmohet se, gjatë këtyre 15 viteve, Administrata Ndërkombëtare, EULEX-i dhe partitë politike që kanë udhëhequr me Ministrinë e Drejtësisë (AAK – LDK – PDK), nuk kanë arritur të ndërtojnë një Sistem të Drejtësisë kredibil. Nëse pranohet ky fakt, se kemi dështuar të ndërtojmë një Sistem të pavarur të Drejtësisë, unë jam që të formojmë Gjykatën Speciale, përndryshe jam kundër. Por asnjëri nga ju nuk e keni konfirmuar ketë! Bile ndonjëri nga ju edhe e keni lavdëruar Sistemin tonë të Drejtësisë?! Kjo nuk do të duhej të harrohej?! Të gjithë në Kosovë, vendor e ndërkombëtar e dimë se Sistemi i Drejtësisë është, sa i politizuar aq edhe jo profesional.
Në takimin e tretë të mbajtur në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë Federale, ku ju partitë e tjera (PDK – LDK – AAK), keni dërguar një nivel më të ultë përfaqësimi, unë përsëri i kam thëne arsyet pse nuk pajtohem. Arsyetimet ia kam bërë të njohura opinionit publik te Kosovës. Ketë nuk dua ta përsërisë. Qëndrimi ynë ka qenë sa transparent aq edhe i qartë. Nuk kemi asnjë arsye që ta ndryshojmë.
Nisma, qëndrim tjetër, deri më tani as ka pasur e as që e ka. Pasi në mes kohë nuk ka ndodhur diçka që do t’na obligonte të ndërrojmë mendim.