Deshishku ka bërë me dije se këtë vit ka pranuar mijëra tonë grurë dhe ka sasi të mjaftueshme që ta furnizojë tërë rajonin, por ka ende mundësi që toka të punohet
“Komuna duhet t`i kreditojë bujqit në veçanti ata që kanë tokë të mjaftueshme dhe që nuk e punojnë aktualisht. Fshatarët nuk kanë mundësi që vet ta punojnë tokën sepse për një hektarë tokë më së paku duhet të shpenzohen 800 euro” ka thënë Deshishku.
Pronari i kësaj Fabrike e konsideron të pakuptimtë faktin që studentët e Bujqësisë dhe nxënësit e shkollës bujqësore në Gjilan nuk vijnë në mënyrë të organizuar për të bërë praktikën aty, pasi sipas tij kjo fabrikë është lloj shkolle dhe objekt edukimi pasi ka mbi 70 punëtor të cilët kanë një përvojë të jashtëzakonshme duke filluar nga përpunimi i grurit e deri tek pjekja e të gjitha llojeve të bukës.
Përndryshe, Deshishku tha se “Kualiteti” ka ndihmuar me farëra dhe plehra bujqit e të gjitha kategorive, madje duke i trajnuar edhe profesionalisht, qoftë në mbjelljen e grurit, por edhe të produkteve tjera.
Në anë tjetër, Nazmi Rapuca drejtor i Drejtorisë Komunale të Bujqësisë ka thënë se edhe komuna ka ndihmuar 500 familje të varfra me farë dhe plehra, por kjo ndihmë është e pamjaftueshme karshi nevojave që kanë bujqit.
Rapuca ka thënë se ndihma e Qeverisë së Kosovës është e pamjaftueshme dhe po shikohet forma alternative që të stimulohen bujqit që ta punojnë tokën sepse rajoni i Gjilanit dikur ka qenë i njohur për prodhimet e veta që kanë pasur plasman të mirë në tregun e brendshëm. /2lonline.com/