Të dy skuadrat, sikurse kryesitë e klubeve ashtu edhe tifozët që moti kanë filluar të mendojnë rreth organizimit të kësaj kryendeshje. Por as kryetrajnerët nuk e kanë ndier veten të qetë, duke hartuar dhe përpiluar strategjitë e tyre, në radhë të parë për një shfaqje të mirë e më pas edhe për rezultat të favorshëm.
Kryetrajneri i skuadrës vendëse në këtë rast Dritës, Musa Selimi, thotë për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, se pret një fitore jo të kollajshme, që do të jetë shumë e rëndësishme në vazhdim të kampionatit.
“Natyrisht që nga ky ballafaqim presim fitore edhe pse do të jetë një lojë tejet e fortë, por që Drita këtë vit është organizuar shumë mirë, kemi pasur një nismë relativisht të mirë si skuadër”, tha Selimi.
Kryetekniku i Dritës ka paralajmëruar se skuadrës do ti bashkëngjiten edhe tre lojtarë, të cilët deri më tani nuk kanë luajtur. Sa i përket fitores, Selimi i referohet traditës, duke thënë se fitorja është në anën e skuadrës së Dritës.
Ai nuk e vë asnjëherë në dyshim ndihmën e madhe të tifozëve të Dritës, ‘Intelektualët’, të cilët do të mbështesin skuadrën e tyre të zemrës.
Në anën tjetër, Muharrem Sahiti, kryetrajner i skuadrës së Gjilanit, premton rezultat pozitiv për skuadrën e tij, duke e bazuar në faktin se pikërisht Gjilani ndaj Ulpianës, përkundër një starti jo të mirë dëshmoi se ka skuadër të mirë dhe me eksperiencë.
“Jam shumë optimist për një rezultat pozitiv. Kjo do të ndodh”,-ka thënë për Portaline Lajmeve Lokale ‘2lonline”, Muharrem Sahiti.
Ai përveç rezultatit ka premtuar se të përzgjedhurit e tij do të shfaqin një lojë të mirë, për të kënaqur apetitet e shikuesve.
Sahiti thotë se derbi lokal i Gjilanit është derbi më i madh në Kosovë dhe Rajon.
Dhese sipas tij, edhe pse skuadra e tij luan si “mysafirë” nuk do të ketë kurrfarë kalkulime, por do të luhet lojë vërtetë futbolli dhe se kush është më i miri le të fiton.
Edhe dy grupet e tifozëve; Dritës, ‘Intelektualët’ dhe Gjilanit ‘Skifterat’ kanë bërë të gjitha përgatitjet që vërtetë të bëjnë një atmosferë e pa parë ndonjë herë në stadiumet tona të futbollit.
Arianit Kërçeli, udhëheqës i “Intelektualëve”, ka thënë se kanë siguruar aq shumë mjete piroteknike, saqë në stadiumet e Kosovës nuk është parë deri më tani.
“Ne njihemi, që jemi fanatikë në përkrahje të skuadrës së zemrës dhe për koreografi të ndryshme në tribuna. Këtë herë më shumë jemi fokusuar në mjetet piroteknike dhe me përdorimin e tyre kemi me dëshmuar se i ngjajmë një tifozërie sikur shumë klube të mëdha evropiane”, tha Kërçeli.
Ai epilogun e këtij takimi nuk ka dashur ta komenton, i bindur se Drita do të fiton në dy fronte edhe në shkallët e stadiumit edhe në fushën e blertë.
Në anën tjetër Skënder Shahini, nga “Skifterat”, ka thënë se pret një ndeshje shumë të fortë, kur dihet se rivaliteti ndërmjet këtyre dy skuadrave ka mbretëruar edhe më herët.
“Kemi përgatitur koreografi që do ti japin hijeshi këtij derbi, derisa nuk kemi kursyer që të sigurojmë edhe mjete piroteknike. Do të na kanë lakmi shumë skuadra dhe tifoz për këtë ngjarje të madhe sportive në Gjilan”, ka thënë Shahini.
Ai thotë se skuadra e cila është përgatitur më mirë për këtë takim do të shënon fitore, duke besuar thellë se Gjilani do të jetë ai ekip që do të shënon fitore./ 2online/