Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, janë paraqitur drejtorët e drejtorive, Naser Korça, Ensar Kadriu, Muhamet Suliqi, të cilët fokus kryesor i kanë kushtuar tejkalimit të temperaturave të larta në bashkëpunim me të gjitha institucionet lokale dhe qytetarët e Komunës së Gjilanit.
Me këtë rast drejtori Naser Korça, ka rikujtuar edhe njëherë urdhëresën e kryetarit Lutfi Haziri, për kursimin maksimal të ujit të pijes dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar nga qytetarët e Gjilanit që ti shmangen lëvizjeve gjatë mesditës për shkak që të nxehtit e lartë mund të shkaktoj përkeqësim të gjendjes shëndetësore të qytetarëve.
“Komuna e Gjilanit dhe Kosova është e përfshir në një mot me temperature shumë të larta. Andaj apelojmë tek qytetarët tanë që t’i përmbahen urdhëresës së kryetarit për kursim maksimal të ujit të pijes dhe i njëjti të mos përdoret për ujitje të trotuareve autolarje, kopshteve dhe aktivitete të kësaj natyre. Poashtu ju informojmë se jemi në inspektim të rregullt të keçpërdoruesve të mundshëm dhe nëse hasen në persona të tillë do të shqiptohen dënime të menjëhershme. Gjithashtu kryetari i Komunës së Gjilanit përmes Njësisë së Personelit ka lëshuar njoftimin për të gjithë zyrtarët në administratën komunale të cilët janë nën trajtimin e sëmundjeve kronike që të lirohen nga aktiviteti në detyrën zyrtare për këtë periudhë të nxehtit të madh”, ka thënë drejtori Korça.
Gjithashtu ai ka kërkuar edhe nga qytetarët e Komunës së Gjilanit që t’i shmangen ekspozimit të temperaturave të larta gjatë mesditës, sepse këto temperatura mund të ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të tyre.
Apelohet për parandalim të zjarreve
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadriu, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të mos ndezin asnjë zjarr fushor sepse përmes këtyre temperaturave të larta ndikohet në shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
“Jemi të bashkuar të gjithë resorët e Komunës së Gjilanit së bashku edhe me resorët e tjerë të institucioneve lokale dhe me mbështetjen e kryetarit Lutfi Haziri, që të menagjojmë në mënyrën më të mirë të mundshme gjendjen në të cilën ndodhemi. Apelojmë tek të gjithë qytetarët që të jenë bashkëpunues me ne. Kërkojmë nga të gjithë qytetarët e Gjilanit që të mos inicojnë asnjë zjarr. Gjendja në ditët e fundit sa i përket zjarreve është alarmante dhe shumë e keqe, sepse kemi zjarre aktive me të cilat janë duke u marrë shërbimi i zjarrëfikësve. Falënderojmë kryetarin Haziri, që përmes vendimit tjetër të nxjerrë, do të shpërblej të gjithë ata që dëshmojnë me fakte për personat që i lajmërojnë si inicues të zjarreve”, ka thënë drejtor Kadriu.
Ai ka pohuar se ardhja e bashkatdhetarëve dhe ngarkimi i komunikacionit me vetura do të krijoj vonesa në intervenimin me kohë të shërbimit të zjarrëfikësve.
“24 orë jemi në shërbim. Po punojmë që të mos kemi dëmtimin e pyjeve, pronës publike dhe mbi të gjitha të jetës së njerëzve. Andaj kërkojmë vigjilencë maksimale që të tejkalojmë pa dëme këtë periudhë me temperature shumë të larta”, ka thënë ai mes tjerash.
Uji i pijes është i cilësisë së lartë mirëpo me rënie të nivelit në pendën e Përlepnicës
Muhamet Suliqi, drejtor i Kompanisë Regjionale e Ujit “Hidromorava”, ka thënë se furnizimi me ujë të pijes është duke u bërë 24 orë në ditë me disa përjashtime në pikat më të larta të qytetit.
“Niveli në Pendën e Përlepnicës ka një rënie prej 40 centimetra, ndërsa si kompani po shfrytëzojmë njëkohësisht të gjitha burimet për furnizim. Përpos nga Penda, jemi duke shfrytëziar edhe burimet tjera si zakonisht nga “Guri i Hoxhës”, pastaj burimin e “Bajës” dhe burimin nga fshati Velekincë. Vlenë të theksohet që uji është i pastërt, i garantuar me të gjitha analizat e nevojshme për tu konsumuar. Pikat në të cilat kemi mungesë të shtypjes në këtë kohë janë një pjesë e lagjes Arbëria, një pjesë të lagjes “Pireva”, rrugës së Prishtinës, lagjes së tetë, një pjesë të lagjes “Dardania” dhe disa lagje të tjera”, ka thënë Suliqi, duke potencuar se aty ku është e nevojshme do të veprohet edhe me zgjidhje alternative përmes makinerive të KRU “Hidromorava”.