(2L ONLINE) – Task Forca e Komunës së Gjilanit për menaxhimin e vërshimeve, e formuar vitin e kaluar nga kryetari Lutfi Haziri, e të cilën e udhëheq nënkryetari Rexhep Kadriu, ka mbajtur sot takim, ku ka marrë pjesë drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim Halit Rexhepi, komandanti i Policisë lokale, Remzi Azemi, drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi dhe zyrtarë komunal.
Nënkryetari Kadriu tha me këtë rast se Komuna e Gjilanit ka intervenuar mbrëmë gjatë tërë natës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve kudo që ata kanë pasur nevojë dhe fatmirësisht gjendja është qetësuar.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim Halit Rexhepi ka informuar se këto kanë qenë vërshimet më të mëdha në 30 vjetët e fundit, duke shtuar se është intervenuar në 25 raste në disa pjesë të qytetit dhe në fshatrat: Përlepnicë, Dobërqan, Velekincë, Livoq i Ulët dhe në disa fshatra të Karadakut.
Ai tha se nga në përpjekje për t’i ndihmuar qytetarët e Gjilanit, gjatë intervenimit kanë marrë lëndime dy zjarrfikës, derisa tash gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Komandanti i Policisë në Gjilan, Remzi Azemi, pohoi se policia menjëherë pas vërshimeve i ka rritur kapacitetet dhe objektivi kryesor ka qenë dhënia e ndihmesës së qytetarëve në këto raste.
Ndërkaq, drejtori kompanisë “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka informuar se pas reshjeve të djeshme, niveli i ujit në pendën e Përlepnicës është më i larti prej se ekziston kjo pendë – 30.37 metra, ndërsa sipas tij, në bazë të analizave të vazhdueshme uji është i pijshëm.
Në takim është konstatuar se është nevojë urgjente e ndërtimit të kapërderdhëses për të mos u rrezikuar qytetarët, duke apeluar qeverinë që të jap ndihmën në këtë aspekt.
Më këtë rast, nënkryetari Rexhep Kadriu ka formuar një Komision për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara gjatë reshjeve të mëdha të shiut në ditën e djeshme.
Komuna e Gjilanit u bënë thirrje qytetarëve që për çdo kërkesë të tyre të thërrasin në numrat e emergjencave pa pagesë: 112 dhe 193 dhe menjëherë do t’i dalin në ndihmë zyrtarët adekuat./2L ONLINE/