Sonte, 28 janar (e premte, 18:00), natën e fundit të Festivalit të Dramës Shqipe ‘Talia e Flakës’ që po mbahet në Gjilan, në kuadër të manifestimit ‘Flaka e Janarit2022’ vjen komedia “Inspektor Limi” nga Lirak Çelaj, me regji të Florent Mehmetit, prodhim i Teatrit Oda, në vend të shfaqjes ‘Stiffler’ ku një aktor ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Ngjarja është e fokusuar në një kafene lagjeje, ku klientët e zakonshëm përfshijnë një shkencëtar që pretendon të ketë zbuluar makinën e kohës, por që askush nuk beson. Pronari i kafenesë, një diler i drogës i cili imponon e tmerron dy të parët, një gënjeshtar patologjik dhe nëna e tij me të cilën ka një marrëdhënie posesive, kamarierja e cila ka aspirata për muzikë moderne e cila vetëm muzikës nuk i ngjan dhe agjenti i fshehtë i antidrogës, Inspektor Lirimi.
Inspektor Limi ndikon si katalizator i ngjarjeve që zbërthejnë anën e fshehtë të këtyre karaktereve, të cilët deri më tani kuptojmë se janë fshehur pas roleve të tyre, duke pasur misione të fshehta dhe kontradiktore me karakterin e tyre parësor, duke shkaktuar një transformim të papritur për publikun. /2LONLINE/
Audienca e lejuar: +16