Yll Musliu nga Gjilani, pjesë e shkollës së futbollit GS Gjilan, është një nga futbollistët më premtues, talenti i të cilit shpesh ka mahnitur trajnerët dhe ata që e kanë parë.
Ylli ka filluar të merret me futboll tani e 6 vite, ndërsa pasionin e tij e vazhdon çdo ditë me përkushtim maksimal.
Hapat e parë të karrierës së tij, Ylli i zhvilloi në Francë te klubi St Jeoire La Tour, ndërsa përvojën e fituar atje e vazhdoi edhe në Kosovë, shkruan 2LONLINE.com.
Sot, Ylli është 15 vjeç, ndërsa ka fituar eksperiencë, siguri dhe aftësi në zotërimin e topit në lojën e futbollit, gjersa gjithmonë kërkon edhe më shumë nga vetja.
Ylli luan me të dyja këmbët, kryesisht është në pozitën e mesfushorit ofanziv dhe vizioni për lojë, teknika, shpejtësia dhe kreativiteti janë cilësitë, që e bëjnë atë futbollist të kompletuar.
Ylli për 2LONLINE.com ka rrëfyer për pasionin e tij dhe synimet e tij për të ardhmen.
“Unë ushtroj 3 herë në javë stërvitje dhe luaj edhe në lojë me klubin. Poashtu, dëshira e madhe për futbollin më shtyn të ushtroj edhe individualisht. Këtu kemi kushte të mira të stërvitjeve, prandaj duhet vetëm përkushtim dhe seriozitet. Mundohem që të jap kontributin tim në lojën me top, pastaj të jap pasime dhe të sulmojmë kundërshtarët aty ku i ka pikat e dobëta. Këtë mundohem ta realizoj me trajnerët, të cilët janë gjithmonë afër nesh”, ka thënë Ylli fillimisht.
Ylli vlerësohet edhe nga trajnerët për diciplinën sportive, karakterin si futbollist dhe sjellje korrekte si një i ri, punëtor, me një ëndërr për të arritur deri në futbollin ndërkombëtar, një ditë.
Objektivat për të ardhmen i ka të qarta edhe Ylli, i cili investon çdo ditë në talentin e tij.
“Ëndrra ime ka nisur nga loja me fëmijët e lagjes, ndërsa vazhdimisht është rritur. Falë talentit dhe dashurisë për futbollin, une kam vazhduar këtë rrugë dhe do ta vazhdojë me përkushtim maksimal. Edhe Superliga e Kosovës është shumë e fortë dhe po bëhet më interesante, sigurisht që një ditë dua të jem emër i njohur si në Kosovë ashtu pse jo edhe në ndonjë klub të madh Evropian”, ka thënë Ylli.
Ylli është pjesë e klubit GS Gjilani, në grupmoshat U17 – Kadetë, klub që garon në Ligën Regjionale të futbollit në Gjilan.
Ylli më parë ka qenë pjesë e klubeve të ndryshme si “Arbëria” dhe KF Galaksia, ku ka punuar me trajnerët, Ismet Ramushi dhe Jetullah Arifi, për cka Ylli i falënderohet për punën e tyre.
Ndërkohë, ndan mirënjohje edhe për klubin aktual dhe trajnerët e GS Gjilan, Halil Halili dhe Egzon Halili./2LONLINE.com/.
Me poshtë videot nga performanca e Yll Musliut: