Ekzistojnë shumë arsyeje pse i është vënë tarifë prej 100% produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, prandaj një tërheqje e mundshme e kësaj tarife vetëm për shkak se Serbia e ka vënë si kusht për të vazhduar dialogu, dhe nga presioni i pa logjikshëm i BE-së, për mendimin tim është pa arsyeje dhe për qëllime deri tani të pa njohura.
Shkruan: Ardian Azemi
Një gjë duhet ta kemi të qartë; nëse ndodh tërheqja nga kjo tarifë, ose pezullimi, qoftë edhe për dy ditë, pa ndodh asnjë reflektim nga ana e Serbisë në raport me arsyet e vënies së kësaj tarife, është dorëzim total ndaj politikës serbe dhe nënshtrim për gjynah ndaj Bashkimit Evropian.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Bashkimi Evropian, e dinë fare mirë se nëse Kosova dorëzohet dhe heqë dorë nga kjo tarifë, Serbia nuk do të ndalet në luftën diplomatike kundër Kosovës, madje vetëm sa do ta rris arsenalin e saj në botë, pikërisht kundër integrimit të shtetit tonë.
E dinë edhe vendorët, e di edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sikurse që e dinë edhe opozita se Kosova nuk ka presion nga ShBA-t për taksën, sepse nuk i prekë interesat e saj, madje një lëshim pe ndaj këtij vendimi është përpos Kosovës, edhe dështim i ShBA-së.
Nëse ShBA e ka ndërmend ta sanksionoi Kosovën, rrjedhimisht kryeministrin Haradinaj, le ta sanksionoi, le të ndëshkohet Kosova, le të bllokohet kryeministri Haradinaj, ngase kjo mund të jetë afatshkurtër dhe me më pak pasoja në krahasim me dëmet që mund ti shkaktohen Kosovës nga tërheqja apo pezullimi i tarifës.
Prej se jemi shtet, edhe në dialogun e Vjenës, Kosova gjithmonë është nënshtruar, ka pranuar koncensione, dhe është pajtuar të jetë pjesë e dialogut duke mos qenë e barabartë me palën serbe. Pra, Kosova ka dëshmua se është e gatshme për një pajtim historik, pa kërkua asgjë, pa vënë kushte as ndaj Serbisë e as ndaj BE-së, madje duke respektuar në përpikëri marrëveshjet e arritura në Bruksel, gjë që pala tjetër asnjëherë nuk e ka bërë, madje kurrë nuk është reaguar nga BE-ja.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdimisht ka kërkuar përfshirjen e ShBA-ve në procesin e dialogut me Serbinë, gjithnjë duke e llogaritur si një proces të vështirë dhe aspak te lehtë. Kjo kërkesë ka qenë edhe si një përpjekje për të marrë garancë nga fuqitë e mëdha për një epilog që nuk e dëmton 17 shkurtin e 2008-së.
Edhe letra e fundit drejtuar ndërkombëtarëve përkitazi me taksën dhe kërkesat e Kosovës, është përpjekja e radhës për të marrë një përgjigjje për këtë. Taksa mund të hiqet kur ShBA-të deklarohen se me një marrëveshje mes dy vendeve nuk do të preket kufijtë, territori, dhe Kosova të njihet nga Serbia, ta ketë ulësen e saj në OKB, që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.
Përderisa nuk kemi asnjë reflektim, është jo logjike me kërkua heqjen e taksës.
Populli i Kosovës duhet ta kuptoj një gjë; nëse qeveria e Kosovës do të rrëzohet, kjo bëhet jo si përpjekje për ta ndryshuar shkollën qeverisëse, por kryekëput për shkak të tarifës ndaj Serbisë.
Është krijuar një opinion se qeveritë në Kosovë formohen dhe rrëzohen ashtu siç do dhe kërkon Amerika dhe BE-ja. Jo, qeveritë formohen ashtu siç i përcakton vota qytetare, ndërsa rrëzohen atëherë kur dikujt ose disave iu prishen matematikat.
Nuk zhbllokohen proceset duke bë hajgare me qytetarët, duke u nënshtruar ndaj Serbisë dhe lehtësisht ndaj BE-së. Proceset zhbllokohen duke respektuar Kushtetutën e vendit, duke krijuar partneritet serioz me shtetet e fuqishme tradicionalisht mike të Kosovës, dhe duke qenë korrekt ndaj njëri-tjetrit në qeverisje.