Prishtina dhe Beogradi pritet që në prani të baroneshës Catherine Ashton, në takimin e sotëm në Bruksel, t’i bëjnë një analizë zbatimit të Marrëveshjes së 19 Prillit në të gjitha segmentet e saj. Takimi i 31 marsit në Bruksel, është i 23-ti me radhë në këtë nivel, por i pari pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Kështu që nga pala serbe, krahas kryeministrit në largim Ivica Daçiq, ftesa nga baronesha Ashton i është drejtuar edhe kryeministrit të ardhshëm Aleksandar Vuçiq. Fokusi i negociatave të këtij takimi, sipas këshilltarit të parë të kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, do të përqendrohet në diskutimin e modaliteteve të zbatimit të Marrëveshjes së 19 Prillit, shkruan gazeta Tribuna.
“Agjenda e këtij takimi do jetë vazhdimi i negociatave për arritjen e modaliteteve teknike për zbatimin e Marrëveshjes së 19 Prillit, që ndërlidhet me funksionimin e institucioneve të drejtësisë në veriun e Kosovës”, ka thënë Çollaku. Njëherësh, në këtë takim ai ka bërë të ditur se do t’i bëhet edhe një analizë procesit të zbatimit të marrëveshjes në segmentet e tjera.