Ministri i Shëndetësisë Dr Imet Rrahmani i ftuar personalisht nga Ministrja e Shëndetësisë Publike të Katarit, Dr Hanan Al Kuwari mori pjesë në Samitin Botëror për Inovacione në Shëndetësi që u mbajt në Doha të Katarit.
Samitin Botëror për Inovacione në Shëndetësi, WISH-i i këtij viti konsiderohet të jetë konferenca me pjesëmarrjen më të madhe të politikanëve, akademikëve, liderëve të kompanive dhe hulumtuesve shkencorë që nga zanafilla e kësaj konference. Pjesëmarrësit pa asnjë përjashtim, përcollën porosinë se shëndetësia duhet të ketë prioritet në agjendat politike si në rrafshin global ashtu edhe në atë lokal, duke insistuar për domosdoshmërinë e investimeve më të mëdha në shëndetësi.
Ministri Rrahmani i shoqëruar nga z. Hysein Reka, Menaxher i Fondit për Sigurime Shëndetësore në Doha dhe Këshilltar i Ministrit për Sigurime Shëndetësore, mori pjesë në diskutimin panel, të udhëhequr nga gazetari i HARD talk i BBC-së, Stephen Sackur me ç’rast shpalosi një nga sfidat më të mëdha të shëndetësisë aktuale – investimi në shëndetësi.
Gjatë punimeve të Samitit, Ministri Rrahmani është takuar me Ministren e Shëndetësisë së Katarit dr. Al Kuwari, Ministrin e Shëndetësisë së Mianmarit-it, Dr. Myint Htwe, Ministrin e Shëndetësisë së Omanit, dr.Salim Al Abni, Drejtorin Ekzekutiv të Fondit Global për TB dhe HIV/AIDS, Dr Mark Dybul, Drejtorin e Sektorit Financiar të FMN-së, Zt. Sanjeev Gupta, Shefin Ekzekutiv të kompanisë për sigurime shëndetësore Daman dhe Munich Health Zt. Michael Bitzer, dhe me shumë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, duke shtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes së Kosovës në evenimente të rëndësishme botërore.