Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë vizitës në Kosovë ka shkelur marrëveshjen e 19 prillit e arritur në Bruksel. Ajo ka thënë se ky është mendimi i saj personal ndërsa, sipas saj, Qeveria shumë shpejt do të dalë me qëndrim zyrtar rreth vizitës së Daçiqit.Për “Epokën e re” Tahiri ka bërë me dije se në bazë të asaj që ka parë në media, Daçiqi është sjell si më parë, duke mos i respektuar procedurat dhe kriteret mbi të cilat i është dhënë leja për ta realizuar vizitën religjioze në Graçanicë.
Sipas saj, ftesa e kryeministrit serb, që në zgjedhjet e 3 nëntorit serbët të votojnë për një subjekt politik, tregon për mentalitetin e tij komunist dhe antipluralist.
“Si kryenegociatore mund t’ju them se ai në këtë rast ka bërë shkelje të marrëveshjes së Brukselit të datës 19 prill, se nuk është sjell si një udhëheqës demokratik. E për qëndrimet zyrtare duhet të prisni pak derisa të bëhen vlerësimet në Qeveri”, ka thënë Tahiri.
Ajo nuk ka mundur të tregojë nëse prapë Daçiqi do të lejohet ta vizitojë Kosovën gjatë fushatës zgjedhore, por ka pranuar se sjellja e tij do të reflektojë për kërkesat e tij në të ardhmen.
Tahiri ka vlerësuar se Republika e Kosovës në procesin e dialogut teknik dhe atë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nuk ka bërë asnjë lëshim. Përkundrazi, sipas saj, në këto procese janë mbrojtur fuqishëm interesi nacional i Kosovës dhe sovraniteti i saj./koha.net/