Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në Ditën e Mësuesit, 7 Marsit i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti për rritjen e pagave në arsim.
Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se shtylla e vetme që ka ruajtur e lartësuar ndjenjën se një ditë do ta gëzojmë shtetin, është arsimi.
***
Lëri fjalimet e bukura e ngjarjet solemne por rriti pagat e mësimdhënësve, kryeministër!
Arsimi ka qenë shtylla e vetme e cila ka ruajtur dhe lartësuar ndjenjën se një ditë do ta gëzojmë shtetin e pavarur dhe besimin në një të nesërme më të mirë. Kjo kategori e çmuar e shoqërisë nuk duhet të neglizhohet, shteti duhet ta ruajë dinjitetin e tyre.
Sot, janë afër 24 mijë mësimdhënës parauniversitar me pagë mesatare prej 470 euro, të cilët presin implementimin e Ligjit të Pagave.
Seancat e tilla formale sikur kjo e sotmja, nuk i bëjnë nder mësimdhënësve. Kryeministri gjatë seancës së sotme duhet që t’I komunikojë mësimdhënësve datën se kur do t’i marrin pagat me rritje. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kjo seancë solemne është vetëm një mashtrim i radhës ndaj kësaj kategorie dhe kategorive tjera që përfitojnë nga implementimi i Ligjit të Pagave.
Urime 7 marsi!