/2L ONLINE/ – Kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri përmes një postimi në profilin e tij ka thënë ndër tjerash se krijimi i një korridori territorial që kontrollohet me të drejta ekzekutive nga i ashtuquajturi Asociacion i Komunave prej veriut në Leposaviq e deri në Dheun e Bardhë në Kamenicë, është jashtëzakonisht problematik në kuptimin zhvillimor, në kuptimin e planifikimit hapësinor dhe në kuptimin e funksionalitetit të shtetit.
Për më tepër shih shkrimin: “Krijimi i një korridori territorial është jashtëzakonisht problematik…”
Por, kjo deklaratë e Hazirit ka nxitur reagimet e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje me këtë rast, Adonis Tahiri, aktivist i kësaj Lëvizjeje nga zyra për media, ka thënë se ky “Korridori” është krijuar nga vetë Lutfi Haziri, sa ishte ministër i Pushtetit Lokal, sa ishte bajraktar i decentralizimit etnik që ndodhi në Kosovë.
“Lutfi Haziri paska thënë se “Zajednica” krijon një korridor, i cili “lidhet me korridore të komunave që janë me shumicë serbe, e që depërton përmes brendësisë së Kosovës në Juglindje të Kosovës dhe lidhet teritorialisht me Serbinë”. Ky “Korridori” është krijuar nga vetë ti, Lutfi Haziri, sa ishe ministër i Pushtetit Lokal, sa ishe bajraktar i decentralizimit etnik që ndodhi në Kosovë”, thotë Tahiri.
Sipas tij, përmes atij decentralizimi Haziri e copëtoi dhe e ndau etnikisht Gjilanin, komunën ku sot paradoksalisht është kryetar, Anamoravën, dhe të gjithë Kosovën.
“Ai decentralizimi yt, ishte veç hapi i parë për krijimin e kësaj “Zajednice”. Thoshe se decentralizimi po bëhet për t’iu ofruar shërbime më të mira qytetarëve, kinse nuk e dije për dëmet që po ia shkaktoje vendit. Pyeti qytetarët e Pasjakut sot, nëse ua ke përmirësuar shërbimet, apo ka ndodh e kundërta? Nga 2 km largësi me objektin e Komunës së Gjilanit, i çove 30 km larg në Artanë, që Artana të trefishohet si territor vetëm e vetëm që të bëhet komunë me shumicë serbe. E kjo Artana e trefishuar nga ju dhe lloji juaj, është veç 1 nga komunat e këtij korridori që lidh veriun me juglindjen e Kosovës dhe që lidhet territorialisht me Serbinë”, ka shprehur, në adresë të Lutfi Hazirit, reagimin e tij, Adonis Tahiri i Vetëvendosjes.
Ai tha se e mban për përgjegjës Hazirin për këtë, duke shtuar se ai ka përgjegjësi të madhe në gjithë këtë proces.
“Andaj mos derdh lot krokodili sot, sepse kur ishe ministër e mbroje me mish e me shpirt ndarjen e tillë etnike të Kosovës”, ka përfunduar Tahiri i Vetëvendosjes. /2L ONLINE/