Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarisë kriminale të disa të dyshuarve që merreshin me kryerjen e veprave penale të trafikimit të armëve.
Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, më 29.08.2018 në rajonin e Prishtinës (në katër lokacione), atë të Gjilanit (në dy lokacione) dhe Ferizajt (gjashtëmbëdhjetë lokacione), është zhvilluar Operacioni Policor i koduar me emrin “SYRI”, i cili ka rezultuar me arrestimin gjashtëmbëdhjetë (16) personave të dyshuar për trafikim me armë.
Njësitet policore në njëzet e dy lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve.
Gjatë këtij operacioni policor, janë sekuestruar provat materiale:
19000 euro para kesh,
3 armë të gjata,
17 armë të shkurta kalibri i ndryshëm,
2850 fishek kalibri të ndryshëm,
20 karikatorë,
1 pasaportë bullgare
3 telefona
dokumente tjera që vlejnë për procedurë të mëtejme gjyqësore.
Personat e dyshuar, në bazë të vendimit të prokurorit dërgohen në mbajtje.
Policia mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja kushtetuese e ligjore për të ofruar rend dhe siguri publike, luftuar aktivitetet kriminale, përfshirë edhe trafikimin e armëve.