(2LONLINE) – Grupi nga Gjilani “Shtegtarët e lirë”, që synojnë në këmbë Brukselin thonë se janë të përgatitur edhe fizikisht por edhe moralisht, kur dihet edhe qëllimi për çka po e ndërmarrin një veprim të tillë. Njëri ndër ta, kryesuesi i grupit Ekrem Avdija ka thënë për 2L Online, se iniciativa e tyre është pritur mirë kudo, ndërkohë që thotë se për ta jetësuar këtë u nevojitet përkrahje institucionale dhe financiare.
Shih për këtë, ata janë duke realizuar edhe takime të shumta me personalitete të ndryshme në Kosovë nga të cilët po marrin përkrahje ndërkohë që Avdija tha se u duhet edhe përkrahja financiare dhe për këtë qëllim, ndër tjerash, kanë hapur edhe një llogari bankare (shih foton), ku vullnetmirët mund të ndihmojnë jetësimin e këtij rrugëtimi që pritet të zgjasë 78 ditë.
Përndryshe, Avdija udhëheqës i Grupi ka bërë me dije edhe njëherë se ky rrugëtim në këmbë “Gjilan-Bruksel”, nën moton “5 Milion Hapa për 1 Hap“ ,mëton të realizohet me porosinë për një lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës kudo në Evropë.
Sipas Avdisë, itinerari i shtegtarëve do të jetë Gjilan, Prishtinë. Pejë. mandej për të kaluar në Mali të Zi, Kroaci, Slloveni. Austri, Gjermani e Belgjikë.
“Misioni ynë është lobimi për një lëvizje të lirë dhe pa regjim të vizave për kosovarët ku do bëhen 5 Milion hapa për 1 Hap, një simbolikë që besojmë të jetë domethënës për vendin tonë sepse dhe ne jemi pjesë e Evropës”, ka thënë Avdija.
Ai tha se misioni i tyre do jetë paqësor dhe si simbolikë në vete ngërthen edhe bashkimin mes popujve nëpër këto shtete kah do të kalohet ku do të bashkëbisedohet rreth kulturave dhe pos kësaj shtegtarët do të bartim Flamurin e shtetit të Kosovës, Flamurin Kombëtarë, Flamurin e BE-së dhe Flamurin e atij shteti kah do të kalojnë dhe njëherësh do kërkohet që të ketë një lëvizje të lirë dhe pa regjim të vizave edhe për kosovarët.
“Rruga jonë do jetë e gjatë 2557.9 km dhe nëse gjithçka do të jetë mbarë deri në nismë, atëherë nisja do të bëhet me 30 Prill 2014 ora 09:30 dhe arritja në Bruksel parashihet të jetë më 17 Korrik 2014.Për këtë projekt ne besojmë që jemi të fortë moralisht dhe përgatitur fizikisht dhe jemi të bindur se misioni ynë do kryhet me përpikëri dhe korrektësi sipas planit që kemi paraparë. Por, për të realizuar këtë mision na nevojitet një mbështetje institucionale dhe financiare”, ka thënë Ekrem Avdija.
Ndryshe, Grupi nga Gjilani “Shtegtarët e lirë”, përbëhet nga pesë shtegtarë dhe tre bashkëpunëtorë. /2lonline/