(2L ONLINE) – Fehmi Sylejmani, këshilltar komunal i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ka folur me tone kritike për vitin shkollor në Gjilan që sipas tij nuk ka nisur mbarë por me parregullsi e të meta.
“Do të ishim gjithsesi shumë më të lumtur, sikur edhe ky vit shkollor të kishte nisur mbarë dhe pa ndonjë telashe apo mangësi, por edhe përkundër pritjeve , megjithatë edhe nisma e këtij viti shkollor u përcoll me parregullsi dhe të meta”, ka thënë Sylejmani.
Sipas tij, përderisa për nxënësit që për herë të parë janë ulur në bankat shkollore padyshim se 1 shtatori ka qenë një ditë e gëzuar dhe festive për ta dhe prindërit e tyre, për disa mësimdhënës, që sivjet i ka prekur referoma e klasës së 13-të kanë qenë në ankth me plot të drejtë. Edhe përkundër që është dhënë premtimi, megjithatë janë disa që nuk kane mundur që sivjet të marrin sërish ditarin në dorë.
“Pikërisht për këtë arsye udhëheqësit më të lartë të arsimit duhet dhënë sqarime për çfarë arsye disa mësimdhënës kanë mbetur pa orë mësimore. Janë vërtetë arsye objektive, apo mbase ka edhe arsye subjektive, që qojnë në pistën e dyshimeve, sepse vërtetë ditëve të fundit kanë filluar të shfaqen hapur dhe kudo. Pastaj në bazë të cilave kritere janë përzgjedhur ata që kanë mbet jashtë procesit mësimor, a pritet të sistemohen edhe ata pak mësimdhënës, nëse janë pak, në rast se jo, çka do të bëhet me ta”, ka pyetur Sylejmani.
Sipas tij , në disa shkolla shihet së është punuar dhe riparuar gjatë pushimit veror, ndërkohë që disa shkolla kanë mbetur pa gëlqerosje, mbase edhe po ndonjë riparim i çfarëdo natyre qoftë. Kjo është një mungesë e seriozitetit dhe përkushtimit të disa udhëheqësve të shkollave përkatëse, ndërkohë që nuk duhet lënë rastit, por duhet kërkuar më shumë llogari dhe përgjegjësi.
“Gjithashtu edhe këtë vit shkollor, si zakonisht edhe viteve të mëparshme, pranimi i mësimdhënësve të rinj është bërë në momentin e fundit. Kjo praktikë e mbrapshtë, njëherë e përgjithmonë duhet stopuar, sepse kuadri i ri duhet të pranohet shumë më herët se 1 shtatori, për të ju dhënë mundësi ankese punëkërkuesve të tjerë”, ka thënë tutje Sylejmani i Vetëvendosjes.
Ai tha se Drejtoria e Arsimit është e obliguara t’i bëjnë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor me një shtator megjithatë edhe tani që kanë kaluar më shumë se tri javë nga fillimi i vitit shkollor rreth 50 nxënës të shkollës fillore të Poneshit nuk po i vijojnë mësimet për shkak të mungesës së transportit që është obligim i DKA-së ta siguroj. Në disa shkolla të mesme kemi çalim të mësimit, ngandonjëherë edhe pa kurrfarë arsye, si që është rasti i Gjimnazit. Qytetarët e Gjilanit e para së gjithash nxënësit duhet ta dinë pse ka ndodhur këto vonesa dhe a janë ndërmarr masa ndaj përgjegjësve.
“Gjithashtu edhe zgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtoreve ka zgjatur tepër dhe pa ndonjë arsye, derisa duhet potencuar edhe një herë se: Udhëzimi Administrativ i MASHT-it me numër 08/2014 për procedurat e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në institucione edukativo arsimore aftësuese. Sipas këtij udhëzimi, pika 2. 2 e nenit 4 thotë: Anëtari i propozuar nga kryetari i komunës duhet të ketë së paku një kualifikim të barasvlershëm me kërkesat për kualifikim të kandidatëve për pozitë të drejtorit si dhe të kenë së paku një përvojë prej tri vitesh në sistemin arsimor, kurse pika 2.4 thotë: Anëtarët e Komisionit nuk mund të jenë të emëruarit politik
Ndërkaq, neni 3, pika 1.2, e udhëzimit Administrativ të MASHTI 08/2014 për procedurat e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në institucione edukativo arsimore aftësuese thotë : të kenë të kryer së paku arsimin universitar themelor(240 ECTS/4) nga profilet e pranueshme për pozitën e mësimdhënësit”, sqaron Sylejmani.
Sipas tij, në bazë të këtyre dy pikave dhe neneve përkatëse komisioni Intervistues për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve është i paligjshëm dhe joprofesional, prandaj çdo vendi i tyre do të jetë në kundërshtim me këtë udhëzim administrativ dhe secili kundër kandidatë që nëse mbase mund të ankohet, me procedura gjyqësore do të jetë fitues.
“Kërkojmë nga DKA dhe kreut komunal të Gjilanit, që t’i respektojnë këto dispozitë të obligueshme ligjore”, ka thënë Sylejmani, për të shtuar edhe se si në shumë sektor të tjerë edhe në arsim shumë punëtor janë angazhuar me kontratë në vepër që po ashtu paraqet shkelje sidomos kur këto kontrata zgjasin më shumë se një muaj. /2L ONLINE/