(2LONLINE) – Kritik ndaj qeverisjen e re të komunës është shprehur edhe Fehmi Sylejmani, këshilltar komunal nga radhët e Vetëvendosjes së Gjilanit. Sipas tij, as trupat e Kuvendit të komunës, si që janë komitetet ende nuk e kanë filluar punën, përveç atij për Politikë e Financa dhe ai i Arsimit. Më në fund pasi që kaluan gati 3 muaj u aprovua plani i punës së Kuvendit, ka thënë ai.
Sylejmani që njëherësh është edhe përgjegjës për informim i Vetëvendosjes , Qendra në Gjilan, ka thënë se edhe përkundër që drejtori i ri aktual i arsimit po shfaq gatishmëri për të punuar dhe drejtuar drejtë këtë institucion, janë 120 punonjës të punësuar pa konkurs nga pushteti që shkoi, që po e zbehin punën e kësaj drejtori, meqë në disa raste edhe më tej po vazhdon ky avaz i vjetër i punësimeve pa konkurs.
“Madje vetë kreu i komunës Haziri, publikisht ka thënë se ka pasur shumë probleme në punësim. „Gjetëm punëtorë të sigurisë në arsim e roje të pyjeve në shëndetësi“, ndërkohë që akoma nuk po vërejmë ndërmarrje të masave ndaj kësaj dukurie të shëmtuar”, ka thënë Sylejmani.
Sipas tij, kryetari i komunës Lutfi Haziri ka premtuar një auditim të pavarur për të konstatuar ligjshmërinë dhe rregullshmërinë e borxhit. ‘Këtë ka mundur të bëj, por pse nuk po e bën”, ka thënë ai.
Sylejmani po ashtu ka rikujtuar se kryetari komunës kishte paralajmëruar edhe reduktime të drejtorive, si kundër që ka premtuar të hap një zyre për Kosovën Lindore dhe të themelojë një komitet të veçantë për këtë pjesë. Ju ka premtuar tretman dhe ndihmesë shumë më të madhe sportistëve gjilanas, artistëve, bizneseve, rinisë, kulturës Sipas tij, në këtë drejtim nuk po ka lëvizje pozitive.
“Haziri ka bërë edhe shumë e shumë premtime tjera, për të cilat ne jemi të vetëdijshëm se për 100 ditë nuk mund të realizohen, por shumica e premtimeve që i cekëm më lartë pa ndonjë kosto të madhe tashmë kanë mundur të fillojnë të jetësohen”, ka thënë Fehmi Sylejmani, përgjegjës për informim në Lëvizjen vetëvendosje dhe anëtar i Kuvendit komunal. /2lonline/