(2L ONLINE) – Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, kanë akuzuar qeverisjet e deritanishme të Gjilanit, pushtetin aktual të LDK-së, por edhe atë paraprak të PDK-së, që me neglizhencën e tyre dhe papërgjegjësinë totale kanë lejuar që sot Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan të jenë një vend i degraduar skajshmërisht.
Shemsi Syla anëtar i Grupit Punues të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan ka thënë se është e turpshme që edhe kjo qeverisje edhe ajo e mëparshme, po e lënë të degraduar Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve dhe sot në vend që të përfundojë ky projekt dhe të jetë një vend i krenarisë, është për t’u turpëruar nga gjendja aktuale në të cilën është katandisur.
Sipas tij, tani ky vend është keq i degraduar dhe pamjet aty janë të pakëndshme e nënçmuese. Përplot qenë endacak, që paraqesin rrezik edhe për ato familje që shkojnë aty për homazhe, pastaj është një vend ku kullosin bagëtia, pasi nuk ka rrethoja, me gjysmë mure dhe kornizime, grumbuj zhavore, kabllo të zhveshura, aty është një ngrehinë e nisur dhe e lënë përgjysmë, kemi shkarravitje e shkrime poshtëruese në muret e obeliskut, papastërti kudo, me flamuj të leckosur…. Prandaj, sipas Sylës, vizitorët sot që shkojnë aty i përshkruan një ndjenjë e trishtimit dhe e turpit kur shohin atë gjendje aty.
“Këtë degradim e ka bërë qeverisja e kaluar (PDK) e këtë po vazhdon ta bëjë edhe kjo aktuale (LDK). Ky kompleks i memorial i Varrezave të Dëshmorëve, ishte një projekt i nisur herët, por i zvarritur, i neglizhuar, i anashkaluar, dhe lirisht mund të themi edhe i sabotuar nga vet krerët komunal, të cilët edhe pse kanë trumbetuar dhe po trumbetojnë në vazhdimësi se e kishin dhe e kanë në prioritet, ata këtë e kanë bërë dhe po bëjnë vetëm për konsum politik dhe për tu treguar sa më të afërt me familjet e dëshmorëve, sidomos në kohë fushatash zgjedhore”, ka thënë Syla.
Ai tha se këtë nuk e meritojnë dëshmorët, këtë nuk e meritojnë familjet e tyre, por ja që këto pushtete po vazhdojnë të lënë këtë vend të poshtëruar, të përbaltur. “As ky pushtet e as ai i mëparshëm nuk kanë arrit ta bëjnë këtë vend, ashtu siç duhet të jetë, vendi krenarisë aty ku pushojnë eshtrat e 52 dëshmorëve, ka thënë Syla i Vetëvendosjes.
Ai nuk i ka kursyer as bashkëluftëtarët e këtyre dëshmorëve veçmas kur në pushtet ishte qeverisja e kaluar, pasi në të kishte të tillë, e që ishin plotë fjalë e betime por se siç tha, Syla, “tradhtia nuk ka brirë. Po se vazhdove rrugën drejtë çuarjes në vend të amanetit të dëshmorëve, atëherë ajo rrugë është e lakuar. Dhe sot e kemi një vend të degraduar siç është Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan, në vend se të jetë një vendi krenarisë kombëtare”.
“Ky poshtërim që po ndodh para syve të të gjithëve është jo vetëm nënçmues e degradues por edhe anti-human, sepse këtë nuk e kanë merituar të rënët për atdhe. E sot edhe pas gjashtëmbëdhjetë viteve paslufte, institucionet tona nuk janë në gjendje t’i lënë të qetë në prehje të dinjitetshme, e të gjallët të kenë mundësi, t’u ofrojnë lule dhe të përulen para tyre…”, ka thënë Syla.
Syla ka thënë se qeverisja e mëparshme (PDK) thirrej në vlera të luftës, si trashëguese e drejtpërdrejtë dhe në dëshmorët e saj, por nuk bëri asgjë pos premtimeve e shumë planeve e projekteve të shkruara e të hartuara por kurrë të realizuara. Edhe qeverisja e sotme, me kryetar Lutfi Haziri, tani e një vjet ka treguar shenja të njëjta të një demagogjie premtuese e zhgënjyese. Edhe kjo qeverisje, sipas Sylës është thirr në vlera të luftës e në emër dëshmorësh, por e ka forcuar edhe më shumë nënçmimin dhe degradimin e të gjitha vlerave, edhe të luftës edhe të paqes.
Syla tha se edhe kjo qeverisje doli me premtimin se prioritet mbi prioritete do të jetë Projekti i Varrezave të Dëshmorëve por, tani e një vjet, nuk ka lëvizur as një milimetër.
Ai tha se ky reagim i tyre ka për qëllim që t’ua bëjë me dije krerëve institucional se veprimet e tilla janë jo vetëm të dëmshme por edhe shumë të ulëta, që lëndojnë dhe shkelin dinjitetin njerëzor të shqiptarëve por se nuk do të lejohet të përbuzet dhe nënçmohet pjesa më e ndritshme, më e pastër, tek ne, dëshmorët e kombit dhe familjet e tyre, tha Syla. /2L ONLINE/