Anëtari i kryesisë së lëvizjes “Vetëvendosje”, Hysen Durmishi, ka kërkuar nga qytetarët e Kamenicës që të mos i votojnë më njerëzit që zhvillojnë fushata nëpër Gjykata e Prokurori.
Duke komentuar për proceset gjyqësore që po zhvillohen ndaj kryetarit Shaip Surdulli dhe ish-kryetarit Begzad Sinani, Durmishi, ka thënë se njerëz të tillë nuk i duhen komunës së Kamenicës, transmeton Radio Premiera.
“Ata fushatën e kanë nis në gjykatë dhe aty e kanë vendin. Akuzohen për korrupsion e keqpërdorime, njëri në mandatin e kaluar, tjetri këtë mandat. Prandaj, komunës së Kamenicës nuk i duhet të tillë njerëz”, është shprehur Durmishi. Ai ka akuzuar Surdullin e Sinanin se për interesa të ngushta personale e klanore, kanë uzurpuar çdo institucion për shumë vite me radhë.